Gjimnazi "Jeta e Re"

Kurdisja e Ekskursioneve në Suharekë

Vendimi që gjatë ekskursioneve mësimore maturantët e Suharekës të dërgohen vetëm në hotelin “Bonita” në Durrës po shihet si shkelje e rregullave të konkurrencës nga pronarët e kompanive turistike.

Kompania “Sharr Travel” e cila nuk fitoi në dy konkurset për t’i dërguar nxënësit në Shqipëri, ankohet për monopol dhe shkelje të rregullave të konkurrencës së lirë.

Pronari i kësaj kompanie Ruzhdi Kurtishaj akuzon shkollat se i përshtatën kushtet e konkursit për kompaninë “Shpejtimi” e cila fitoi në dy procedurat konkurruese.

“Këtu ka të bëjë me disa kritere të njëanshme që janë shfrytëzuar vetëm për të përmbushur kriterin e tri ofertave,” thotë Kurtishaj.

Me paratë e buxhetit të Komunës së Suharekës anëtarë të këshillave të prindërve kishin udhëtuar në Shqipëri për të vizituar hotelet ku mund të akomodohen nxënësit.

Pas përfundimit të vizitës këshilli i prindërve ishte kthyer me konstatimin se hoteli “Bonita” ishte ai që i përmbushte kriteret, ndërsa hotelet e tjera nuk ishin të sigurta për nxënësit e Suharekës.

Për çudi të të gjithëve me hotelin në fjalë kishte marrëveshje vetëm kompania fituese “Shpejtimi”, ndërsa pronari i “Sharr Travel” ankohet se këshilli i prindërve nuk vizitoi fare hotelin ku ai kishte planifikuar t’i dërgonte nxënësit.

Komuna e Suharekës e pranon se fituesin e tenderit me vlerë prej rreth 40 mijë eurove e kishte përcaktuar hoteli, por nuk kanë shpjegim pse këshilli i prindërve nuk e vizitoi hotelin e kompanisë “Sharri Travel”

“Është e vërtetë se kanë qenë dy kompani me çmim të njëjtë, mirëpo për përcaktimin e fituesit e ka bërë vlerësimi i këshillit të prindërve të cilët kanë vendosur për ‘Bonitën’,” thotë zëdhënësi i Komunës së Suharekës Reshat Reshitaj.

E kryetari i këshillit të prindërve në Gjimnazin “Jeta e Re”  thotë se rregullat në këtë rast bëhen nga vetë prindërit për shkak se ata paguajnë. Sipas tij, cila kompani ta kishte fituar ofertën do të ishte ankuar, pasi i kanë pasur kushtet e njëjta, por është siguria e hotelit ajo që ka vendosur fituesin.

I kënaqur me procesin është fituesi i tenderëve, Ekrem Veselaj pronar i kompanisë “Shpejtimi”. Ai thotë se procesi ishte pa ndonjë vërejtje, ndërsa pranon se marrëveshja e tij me hotelin e shpalli atë fitues të konkursit.

“Me çmimin kemi qenë të njëjtë me kompaninë ankuese, duke u nisur prej sigurisë së nxënësve që hotelin me të cilin ne e kemi marrëveshjen i plotëson të gjitha kushtet, sidomos nga siguria, pasi nxënësit do të vendosen në një kompleks që i tëri është i rrethuar dhe me sigurim 24 orë,” ka thënë Ekrem Vesaj.

Me gjithë procesin e kontestuar, 600 nxënësit e Suharekës pritet të udhëtojnë në grupe në fund të muajit për në ekskursionet në Shqipëri. Për diskriminimin në tender Ruzhdi Kurtishaj thotë se do shfrytëzojë mjetet juridike të ankesës.