Albin Kurti dhe Isa Mustafa Foto: Haki Abazi FB

Kur Albin Kurti thoshte se nuk ka respekt për Isa Mustafën

Sot Albin Kurti i shkoi në konak Isa Mustafës.

Pas takimit, kreu i Vetëvendosjes tha se janë të gatshëm të koordinojnë bashkëpunimin opozitar “në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë”.

“Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, shtoi ai.

Kurti pas takimit shkroi se Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore.

Por, çfarë thoshte ai tri vite më parë për ish-kryeministrin, i cili e braktisi koalicionin VLAN.

Në një intervistë për televizionin publik, Kurti kishte deklaruar se nuk e konsideron as serioz e as të sinqertë Isa Mustafën.

“Nuk e konsideroj atë as njeri serioz e as të sinqertë”, kishte thënë ai.

Madje kishte shtuar se nuk ka as respekt për të. “Nuk mund të ofendohem prej dikujt që nuk kam respekt për të, unë nuk kam respekt për të”, kishte thënë atëkohë lideri i Vetëvendosjes.

Edhe dy javë më parë, Albin Kurti e akuzoi përsëri Isa Mustafën për prishjen e marrëveshjes së opozitës së bashkuar në 2014, e cila njihej si VLAN.

“Më 10 shtator, u bënë katër vjet nga Marrëveshja e VLAN-it. Siç dihet e shihet, të tjerët e shkelën atë”, kishte shkruar Kurti duke aluduar në Isa Mustafën si prishës të marrëveshjes.

Por, veç akuzave me fjalë, Vetëvendosje edhe e kishte sulmuar ish-Kryeministrin.

Tri vite më parë, partia e Albin Kurtit kishte sulmuar me vezë Isa Mustafën

Në atë kohë Vetëvendosje me pankarta “Isa Ranch, shiti pronat tua jo të Kosovës” u nis drejt shtëpisë së Isa Mustafës.

E gjatë kohës sa Mustafa ishte kryeministër, protestues të po kësaj partie, kishin dalë në rrugë me parullë “Isë Isë, argat i Serbisë”.

Ndërsa sot si opozitar, Kurti ka takuar Mustafën dhe ka premtuar bashkëpunim, sic ka thënë “për një qeverisje cilësore”.