Kundërshtohet Privatizimi i Kino-Teatrit ‘Jusuf Gërvalla’

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka publikuar vendimin e Bordit të Drejtorëve për likuidim të kino-teatrit “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Por, me këtë vendim nuk pajtohet Komuna e Pejës.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Pejës, Engelbert Zefaj, tha për KALLXO.com se Komuna ka të gjitha dëshmitë së prona dhe objekti i kino-teatrit i takojnë asaj.

Dhe në bazë të këtyre dëshmive, objekti i është dhënë në shfrytëzim për 15 vjet organizatës joqeveritare “Anibar”.

“Pasi që janë kryer gjitha këto (procedurat e dhënies në shfrytëzim) AKP reagon në këtë mënyrë befasuese dhe insiston për diçka që nuk është e tyre. Për ma shumë ata në njërën anë ngrenë padi dhe nisin procedura gjyqësore dhe përmbi procedura gjyqësore pastaj fillojnë me procedura për likuidimin e një aseti komunal”, tha Zefaj.

Drejtori Zefaj tha se avokati i Komunës do të kërkojë shqiptimin e masës së përkohshme deri në vendimin e gjykatës rreth kontestit.

Ndërsa, drejtori i OJQ-së “Anibar”, Vullnet Sanaja, tha se privatizimi i kino-teatrit nuk duhet të ndodhë.

“Për neve kjo është diçka që nuk duhet me ndodh pasi që kinemaja është një aset i qytetit. Kinemaja prezanton atë memorien kolektive të përbashkët të qytetit dhe qytetarëve të saj. Edhe është një objekt i cili ka qenë këto 60 vitet e fundit publik”, tha Sanaja për KALLXO.com.

“Në dokumentet kadastrale, kinemaja është pronë e Kuvendit Komunal”, thekson Sanaja, duke hedhur poshtë pretendimet e AKP-së. “Më 2004, Komuna e fitoi rastin kundër një personi që pretendonte pronën. Gjykata vendosi se pronar është Kuvendi Komunal”.

Sanaja paralajmëroi për një peticion nga qytetarët e Pejës dhe shoqëria civile, përmes të cilit do të kundërshtohet privatizimi i kino-teatrit.

E pyetur nga KALLXO.com nëse prona në fjalë i takon asaj, AKP-ja thotë se prona aktualisht evidentohet në emër të KK të Pejës.

“Mirëpo, në bazë të dokumenteve që posedon AKP, shihet se kjo pronë në të kaluarën ka qenë e regjistruar si pronë shoqërore. Për këtë arsye, AKP, në vitin 2014 ka ngrit padi në gjykatë kompetente për vërtetim pronësie. Pritet vendimi i Gjykatës”, ka thënë për KALLXO.com Ylli Kaloshi, zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

OJQ-të e Kosovës kanë nënshkruar edhe një peticion kundër privatizimit të kinemasë.

Edhe kino “Lumbardhi” në Prizren është përballur me rrezikun e privatizimit.

Mirëpo, pas presionit të shoqërisë civile AKP e kishte hequr përkohësisht këtë objekt me rëndësi kulturore nga lista e vet e shitjes.

Për këtë çështje ishte diskutuar në emisionin “Jeta në Kosovë“ në prill të vitit 2015.