Udhëkryqi ku ishin semaforët - Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet largimi i semaforëve në Vushtrri

Largimi i semaforëve në udhëkryqin e magjistrales Prishtinë- Mitrovicë, afër fshatit Studime, ka shkaktuar pakënaqësi te banorët e asaj pjese.

Gjatë javës së kaluar banorët e fshatit Studime kanë protestuar në vendin ku kanë qenë të vendosur semaforët, duke kërkuar kthimin e tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Infrastrukturës, e cila ka larguar semaforët për shkak të punimeve që kanë qenë duke u zhvilluar nga rrethrrotullimi deri te semaforët.

Agron Beshiri, menaxher i punimeve në Ministrinë e Infrastrukturën, tha për KALLXO.com se semaforët janë larguar nga kompania e kontraktuar nga Ministria për shkak punimeve në këtë rrugë.

“Arsyeja e largimit të semaforëve ka qenë për shkak të asfaltimit të rrugës që është paraparë të zhvillohet në atë pjesë. Ne nuk kemi pasur mundësi ta vazhdojmë asfaltimin e rrugës për shkak se kemi pasur pengesa me shpronësim nga një banor”, tha Beshiri.

Por, zyrtari i Ministrisë bëri të ditur se  gjatë kësaj jave përsëri do të vendosen semaforët.

“Nesër do të dalim në vend të ngjarjes dhe do të vendosim bazamentin e shtyllave dhe brenda kësaj jave fillojmë rikthimin e semaforëve”, tha Beshiri për KALLXO.com.

Ai shtoi se vendosja e semaforëve do të bëhet vetëm përkohësisht, pasi që sapo të krijohen kushtet për fillimin e punimeve në atë pjesë, përsëri do të detyrohen që t’i largojnë semaforët.

Kërkesa e banorëve të fshatit Studime për kthimin e semaforëve ishte bërë për shkak të rrezikshmërisë së këtij udhëkryqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë në Rajonin e Mitrovicës,  Avni Zahiti, i cili tha se brenda pesë muajve të fundit në këtë udhëkryq kanë ndodhur tri aksidente.

“Që nga janari i këtij viti deri më tani kemi tri aksidente në këtë udhëkryq, dy prej tyre mes automjeteve dhe një me këmbësor”, tha Zahiti.

Ai shtoi se gjatë kohës kur kanë qenë të vendosur semaforët numri i aksidenteve në këtë udhëkryq ka qenë dukshëm më i ulët.