Këshilli Shtetëror i Cilësisë Foto: KALLXO

Kundër Korrupsioni s’gjen konflikt interesi në mandatin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se pesë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët janë edhe pjesë e stafit të rregullt akademik në Universitet të Prishtinës, nuk e kanë shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Megjithatë, sipas AKK-së, punësimi si staf i rregullt i këtyre anëtarëve në Universitetin e Prishtinës, është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për Kriteret dhe Procedurat e Emërimit të Anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Bazuar në këtë udhëzim, AKK ka cituar Nenin 4, pika 1.4. i cili thotë se “Më së shumti tre anëtarë vendorë të KSHC-së, mund të kenë angazhim aktual në institucionin e njëjtë”.

Konstatimin se nuk ka konflikt të interesit, AKK e ka dhënë duke u bazuar në procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilat është gjetur se secili prej këtyre anëtarëve, largohet nga mbledhja kur votohet për fakultetin në të cilin ata janë të angazhuar.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit në Agjencinë n Kosovës për Akreditim, Avni Gashi, kishte kërkuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit, që të shqyrtojë nëse anëtarët vendor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kanë shkelur Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, gjatë mbajtjes së pozitës së anëtarit të këtij bordi.

Sipas raportimit të Gashit, në kohën e përzgjedhjes së anëtarëve të KShC-së, si staf akademik i UP-së, kanë qenë vetëm tre anëtarë, ndërsa prej muajit shtator të vitit 2018, dy nga anëtarët e këtij këshilli, janë pranuar si staf i rregullt në këtë universitet.

Andaj sipas tyre, kjo përbën shkelje të këtij Udhëzimi Administrativ, i cili nuk po respektohet nga dy anëtarët e KSHC-së, për faktin se të njëjtit në kohën e emërimit nuk kanë qenë staf akademik i Universitetit të Prishtinës.

Udhëzimi në fjalë, nuk e limiton apo kushtëzon anëtarin e KShC-së, në lirinë e lëvizjes nëpër institucione, pas emërimit në këtë pozitë.

“Prandaj, nga ajo që u tha më lartë, Agjencia kundër Korrupsionit konstaton se duke e marrë parasysh faktin se 5 anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët janë edhe staf i rregullt akademik në Universitetin e Prishtinës, marrin pjesë në mbledhje dhe votojnë UP-në, dhe secili prej tyre largohet nga mbledhja kur votohet për Fakultetin në të cilin këta janë të angazhuar, nuk është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik”, konstaton e AKK.

Megjithatë, Agjencia kundër Korrupsionit ka rekomanduar që të veprohet sipas Udhëzimit Administrativ për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mënyrë të shmangen situatat e konfliktit të interesit.

Largimi nga mbledhja i anëtarëve të cilët kanë konflikt interesi, është i rregulluar edhe me Rregulloren mbi Punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku Neni 9, pika 6, thotë se “Nëse KShC nuk vendos ndryshe, anëtari/ja në konflikt të interesit duhet ta lëshoj mbledhjen gjatë asaj kohe kur ajo çështje diskutohet dhe votohet”.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, përbëhet nga nëntë anëtarë, gjegjësisht gjashtë vendor dhe tre ndërkombëtar.