Kunata e Fatmir Limajt punësohet në Ministrinë e Diasporës

Promovimi i Investimeve tek Investimet Strategjike në Ministrinë e Diasporës ka disa muaj që janë në duart e Sadbere Balajt.

Në mandatin qeverisës të Kryeministrit Haradinaj, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka punësuar Balajn e cila është motra e bashkëshortes së Fatmir Limajt, kryetar i partisë NISMA Social Demokrate.

Momentalisht kjo ministri udhëhiqet nga Dardan Gashi ndërsa Ushtruese e Detyrës së Sekretares së kësaj ministrie është Shyhrete Gosalci, ish kandidate për deputete të NISMA-s, në vitin 2014.

Sadbere Balaj ka refuzuar të konfirmojë lidhjen e saj familjare me Fatmir Limajn mirëpo kjo lehtë vërtetohet edhe nga rrjetet sociale.

Në Facebooku-un e saj që e kishte emëruar Beli Balaj ajo shpërndante vazhdimisht pastime që kishin të bënin me NISMA-n dhe Fatmir Limajn.

Më pas, ky profil në Facebook u fshi dhe nuk mund të gjendet më me kërkim.

KALLXO.com ka ruajtur fotografi që dëshmojnë lidhjen e saj me Limajn dhe NISMA-n Socialdemokrate.

Balaj për KALLXO.com ka thënë se nuk është e detyruar të përgjigjet për lidhjen e saj familjare.

“Është përgjigjur ministria, nuk jam e detyruar të jap përgjigje”, tha Balaj.

Megjithë insistimin, KALLXO.com nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Fatmir Limaj lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, deputetja e NISMAS Albulena Balaj Halimaj e ka konfirmuar këtë lidhje familjare.

E pyetur nëse Sadbere Balaj është motra e gruas së Fatmir Limajt ajo u përgjigj: “Po bre është, a do të thotë kjo që mos me hi ajo n’punë kërkund ajo a?”.

“Lidhje me punë edhe mu ajo nuk ka. Unë e kam çikë të tezes po nuk e di as ku punon as çka punon”, shtoi ajo.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në anën tjetër tha se për këtë emërim nuk ka pasur ankesa.

“Ndaj kandidatëve të suksesshëm në këto pozita të rekomanduar nga Komision, ju konfirmojmë se nuk ka pasur asnjë ankesë në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike si dhe në Këshillin e Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas publikimit të njoftimit për pranimin e tyre.  Sadbere Balaj është përzgjedhur Zyrtare e lartë për promovim të Investimeve në Departamentin për Investime Strategjike” , thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Në zgjedhjet e fundit, NISMA Socialdemokrate kishte premtuar punësim për familjet me asnjë të punësuar.

https://kallxo.com/limaj-perparesi-punesimi-familjet-anetare-te-papune/