Kumnova: Në vend se të arrestohen kriminelët, arrestohen nënat që nuk i dinë eshtrat e më të dashurve të tyre

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, Nysrete Kumnova, në takimin gjithëpërfshirës për Lansimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krimet e Serbisë në Kosovë tha se falënderon znj. Vasfije Krasniqi – Goodman, e cila sipas saj ua hapi sytë të gjithëve për të kërkuar drejtësi.

“Sot jam shumë e gëzuar që jam para gjithë institucioneve që të do të merrni vendime të drejta për gjykata, për t`u dënuar kryesit e krimeve të luftës në Kosovë. E përshëndes edhe vajzën tonë Vasfijen. S`po kam frikë që vjen policia me më arrestu më. Sot jam në mesin e atyre nënave ku djali im mbahet peng i vdekur nga Serbia. Shpresoj se do të ma gjeni djalin. Shpresoj se këtë iniciativë do ta qojmë deri në fund së bashku”, tha Kumnova.

Ajo tha se edhe pas 20 viteve jetojnë me shpresën e zbardhjes së fatit të djalit të saj Albionit.

“Policia që i ka marr ka qenë e uniformuar, tash jetojnë në Nish dhe askush si ka kërkuar ata. Kam ardh këtu për të dëshmuar dhe kërkuar drejtësi, për të kërkuar vendodhjen e eshtrave të familjarëve tanë, nuk kam ardhur vetëm sa për të marr pjesë. Ne jemi themelimi i shtetit dhe vendit tonë, duam përkrahje nga ju sepse jemi kategoria më e goditur”, tha ajo.

Kumnova poashtu kërkoi nga përfaqësuesit e institucioneve që të vazhdojnë të jenë me familjarët e të vrarëve dhe të ju kthejnë më të dashurit e tyre, të mos luhet me fatin e tyre.

“Jemi të provokuar edhe në komunën tonë në Gjakovë, kur vijnë serbët dhe lëvizin atje. Ata mbajnë pozita në Serbi dhe vijnë na përbuzin dhe na provokojnë. Nuk di a ka diku në botë ndonjë vend kur arrestohen nënat në vend që të arrestohen kryesit e veprave. Kjo iniciativë edhe pse me vonesë, drejtësia duhet të bije në vend të gjitha çështjet që kriminelët të mos të bredhin të lirë”, tha Kumnova.

KALLXO.com transmetoi direkt seancën nga Kuvendi i Kosovës, kliko në LINK