Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zyrtari i arrestuar i Ministrisë së Kulturës dyshohet se mori ryshfet rreth 6 mijë euro

Një zyrtar i Ministrisë së Kulturës është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës, pas dyshohet se ka marrë 5,850 euro ryshfet nga përfitues të subvencioneve.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, Sektori për hetimin e korrupsionit ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin mashkull kosovar, asistent ekzekutiv në Ministrinë e Kulturës, pasi që i njëjti ka marr 5,850 €, ryshfet nga dy biznese aplikuese dhe përfitues të subvencioneve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas, Policisë me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Zyrtarë të MKRS kanë konfirmuar për KALLXO.com arrestimin e zyrtarit të tyre, por kanë thënë se nuk dinë gjë për rastin.

Bislim Bislimi, ushtrues i detyrës së Sekretar të Përgjithshëm në këtë ministri, ka thënë se si zyrtari kryesor administrativ i MKRS nuk është njoftuar në mënyrë zyrtare nga ana e organeve të rendit për arrestimin e zyrtarit.

“I gjithë informacioni që unë posedoj është ai që është publikuar në media, gjegjësisht nuk kam akte shkresore në kanale zyrtare përmes të cilave mundem të konfirmoj zyrtarisht këtë situatë”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, ka thënë ai ministria përshëndet çdo veprim të mundshëm të organeve të rendit dhe të prokurorisë e të gjykatave për ndjekjen e të dyshuarve për kryerje të veprave penale nga ushtrimi i detyrës zyrtare.

“Ne besojmë se në secilin rast, duhet bërë e qartë me vendosmërinë e forcës së ligjit që veprimet abuzive me detyrën zyrtare do të dënohen e ndëshkohen sipas ligjit ndaj kujtdo që kryen veprime të kundërligjshme”, ka thënë Bislimi, u.d. i Sekretarit të Përgjithshën në MKRS.

Arrestohet zyrtari i Ministrisë, dyshohet se kërkoi dhe pranoi ryshfet nga bizneset aplikuese për subvencione