Zyrtare, anulohet konkursi për drejtorin e Baletit Kombëtar

Ashtu edhe siç pritej, Këshilli Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Arsyeja për anulimin e konkursit sipas njoftimit është se nga 4 kandidatë sa kanë konkurruar në konkurs, tre prej tyre nuk i plotësojnë kriteret e konkursit për zgjedhjen e të parit të baletit.

Iber Alaj, ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, ka thënë për Kallxo.com se Këshilli Drejtues i BKK-së ka nxjerrë vendimin për anulimin e konkursit.

“Pasi tre kandidatë, sipas kritereve të caktuara nuk i kanë plotësuar kushtet që me iu nënshtru vlerësimit të KD-së së BKK-së. Tani, sipas procedurave ligjore ne menjëherë do ta shpallim konkursin”, ka thënë Alaj.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Baletit të Kombëtar ishte hapur më nëntor të 2020-ës.