Zvarritjet institucionale rrezikojnë shkatërrimin e memorialit ‘Adem Jashari’

Shënimi i përvjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe kujtimi i 22 vjetorit të Betejës së Jasharajve në Prekaz kundër forcave serbe, më 5, 6 dhe 7 mars, ‘zbuloi’ edhe një herë moskujdesin e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj Kompleksit përkujtimor “Adem Jashari”.

Pavarësisht premtimeve të dhëna vit pas viti nga autoritetet qeveritare dhe kalkulimet e ndryshme, kompleksi i shtëpive të këtij memoriali dita ditës rrezikohet nga dëmtimet serioze, qoftë edhe për shkak të faktorit kohë.

Gjendjen aspak të mirë të këtij kompleksi e ka pohuar për Kallxo.com edhe Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë së Menaxhimit të Memorialeve.

Zogaj në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se gjendja në Kompleksin “Adem Jashari” nuk është e mirë dhe si e tillë është trashëguar që nga pas lufta. Sipas tij, pavarësisht, vullnetit për të ndërhyrë në restaurimin e kompleksit, rrethanat e krijuara qoftë edhe për shkak të zhvillimeve politike vonuan ndërhyrjet.

Në 2018 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një buxhet prej 1 milion eurove për kompleksin, por për të filluar ndërhyrjet ishte pritur miratimi i ligjit për Kompleksin “Adem Jashari”.

“Në 2018 Kuvendi kishte ndarë 1 milion euro për Kompleksin, unë isha i interesuar filloja menjëherë renovimin pasi ekzistonte projekti për konservim, por në të njëjtën kohë ishte në procedim për miratim ligji për kompleksin, i cili parashihte që kompetencat të barten në komitetin ndërministror dhe në bashkërendim me kryetarin e Skenderajt vendosëm që të pritej miratimi i ligjit. Por, miratimi i tij u shty. Pas miratimit të Ligjit, në fillim të 2019 u formua komiteti në krye me ish-zv/kryeministrin Fatmir Limaj, në të cilin isha edhe unë, por me dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj u pamundësia funksionimi i komitetit. Presim nga qeveria të formojë komitetin e ri ndërministror dhe të nis puna për kompleksin”, ka thënë Zogaj.

Kompleksi qëndron keq edhe sa i përket numrit të punëtorëve.

“Edhe me numër të punëtorëve jemi keq, aty kemi dy ciceronë dhe një punëtore muzeu. Në buxhetin e 2019-ës na u kanë lejuar tri pozita për ciceronë, por fatkeqësisht nuk ka pasur interesim në konkurset e Agjencisë dhe ne nuk kemi arritur të shtojmë numrin”, ka thënë Zogaj. Ndërkaq për mirëmbajten e Kompleksit Agjencia në tri vjetët e fundit ndau një shumë vjetore prej 75 mijë eurove.

Ai ka thënë se edhe për 2020 Agjencia ka kërkuar shtimin e numrit të punëtorëve dhe një milion euro të cilat edhe pret që të miratohet.

Komuna e Skenderajt nuk është përgjigjur në pyetjen e Kallxo.com lidhur me gjendjen e memorialit dhe bashkërendimin me institucionet tjera për kompleksin.

Ndërsa, javën e kaluar Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis krijoi një grup punues për memorialin.

Në tetor  të 2018 Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për Kompleksin Memorial, “Adem Jashari” në Prekaz, i cili e shpalli Kompleksit në Prekaz zonë të veçantë me interes shtetëror dhe kombëtar.

Me këtë Ligj përcaktohet statusi i Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe obligimet e institucioneve të Kosovës për planifikimin, ndërtimin, mbrojtjen, konservimin, restaurimin, administrimin, kujdesin dhe prezantimin e tij.

Neni 5, pika 2 i këtij ligji potencon se zgjedhjen e projektit për memorialin dhe implementim konform këtij ligji, e bën Komiteti Ndërministror i cili themelohet me vendim të Qeverisë.

“Kompleksi Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, do të realizohet sipas Projektit, i cili përzgjidhet në bazë të shpalljes së hapur dhe publike. Projekti duhet që, të shprehë frymën e përcaktuar me paragrafin 1. të nenit 3 të këtij ligji dhe të përmbajë: pjesën e varrezave, konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin veror bashkë me objektet përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Gardën ceremoniale të FSK-së, vend parkingun, parkun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari përfshi edhe shtëpitë e familjes Jashari dhe objektet tjera të nevojshme”, thuhet në nenin 5, pika 1, të këtij ligji.