Muzeu i Kosoves,Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.

Zhvillimet rreth muzeut, reagojnë punëtorët

Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës në takimin e mbajtur pas gjendjes së krijuar, me emërimin e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe zhvilimeve të fundit, shpreh shqetësimin lidhur me ecurinë e procesit në fjalë.

Përmes një komunikate për media, Sindikata e MKK-së konstaton se zgjedhja e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk është bërë mbi bazën e respektimit të procedurave ligjore dhe performancës së kandidatëve, por mbi baza politike (partiake) dhe nepotike, siç konkludon më tej, duke shkelur mbi parimet ligjore të përcaktuara me ligjet në fuqi.

“Kryesia e Sindikatës vlerëson se Muzeu vazhdon të mbetet në udhëkryqe, duke u ofenduar dhe degraduar në mënyra dhe forma të ndryshme nga partitë politike të cilat e drejtuan MKRS-në, e së fundi edhe nga PDK-ja”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, tërë procesi filloi të degradohet nga periudha e hartimit të rregullores 15/2018 për gradat dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore dhe me theks të veçantë statuti i MKK-së, i cili është hartuar dhe miratuar pa konsultimin e punëtorëve të MKK-së dhe si i tillë është i hartuar me përmbajtje komplet politike.

Gjatë gjithë procesit të rekrutimit kishte shkelje në zhvillimin e procedurave si; Procesi i rekrutimit në karrierë i zhvilluar si procedurë e parë, nuk është zhvilluar sipas procedurave të rregullores nr. 21/2012 për Avancimin në Karrierë të Nëpunësve Civil dhe Organizimi i testit me shkrim kishte karakter selektues, duke hartuar pyetje jo profesionale të pa-artikuluara drejtë dhe me tendencë të manipulimit politik. Po ashtu edhe vlerësimi i testit u manifestua me ndërhyrje të plotë politike.

Këshilli i shkarkuar i Muzeut: Ministri i PDK-së tentoi t’i punësojë njerëzit e tij

Me këtë rast, Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës i bën thirrje Ministrit në detyrë të MKRS-së Kujtim Gashit, që përveç shkarkimit të drejtorit të sapozgjedhur, të fillojë rishikimin e dokumenteve ligjore që kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë profesionale dhe shkencore në Muzeun Kombetar të Kosovës dhe ndaljen emërimeve partiake, të cilat, siaps sinfdikalistëve po degradojnë institucionin më të lartë të identitetit të trashëgimisë kulturor.

“Sindikata e Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës, përmes kësaj shkrese rikonfirmon edhe një herë se në rast të mosplotësimit të kërkesave të lartcekura do të vazhdoi të kërkoi respektimin e kërkesave në fjalë përmes rrugës ligjore dhe formave tjera protestuese”, thuhet në komnikatën e Sindikatës së Punëtorëve të Muzeut Kombëtar të Kosovës.