Zhbërja e Ministrisë së Kulturës, alarmohet komuniteti kulturor në vend

Ideja për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe shpërndarjen e saj në dikasteret e qeverisë në ardhje ka alarmuar komunitetin kulturor në vend.

Komuniteti kulturor e sheh si mjaft të dëmshëm zhbërjen e MKRS, edhepse ka edhe të atillë që nuk shohin ndonjë problem nëse, MKRS i bashkohet Ministrisë së Arsimit.

Kushtrim Koliqi, anëtar i Bordit të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se shkrirja e MKRS-së dhe bashkimi me Mistrinë e Arsimit, e cila, siç ka thënë ai ka mjaft probleme, do të përcillet me pasoja në të ardhmen.

“Natyrisht duam që kjo të mos ndodhte, sepse në të kundërtën do të kemi një mish -mash dhe pasojat do të jenë të parikuperueshme për skenën shumë pak të zhvilluar kulturore në Kosovë. Mendoj së do të duhet të kishte një reagim më të madh nga komunitetit pasi me bashkimin e ministrive do t’i bëhet një dëm i madh kulturës”, ka thënë Koliqi.

 

Ndërsa, regjisori Ben Apolloni ka fajësuar LDK-në për gjithë situatën e krijuar në kulturë, por edhe qeverisjen në të kaluarën me kulturën.

“Ajo që me çuditë është se VV pas zgjedhjeve duket se ka një qëndrim shumë indiferent ndaj kulturës, për të cilën sa ishte në opozitë ka folur me admirim. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, nuk e di nëse këto dy parti do të bëjnë koalicionin, por do të më vinte shumë keq nëse kultura do t’i lihej LDK-së!”, ka thënë ai për Kallxo.com

Kundër zhbërjes së MKRS është deklaruar edhe Rrjeti i Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, i cili ka ripërsëritur kërkesën për krijimin e Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimin në Facebook, RRIPAK shprehë shqetësimin e institucioneve anëtare, artistëve individual dhe opinionit publik në lidhje me planet për shpërbërjen e MKRS-së të bëra publike nga zyrtarët e partive politike që janë duke negociuar krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Sipas RRIPAK-ut, MKRS nuk duhet të zhbëhet por të reformohet, duke konisderuar që fusha e artit dhe kulturës duhet të trajtohet si interes nacional i Republikës së Kosovës

“RRIPAK vlerëson të dëmshme për interesin publik dhe kombëtar të Kosovës planin për zhbërjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe mos themelimin potencial të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e re të Republikës së Kosovës. RRIPAK planin për zhbërjen e MKRS-sw e konsideron të rrezikshëm për kornizën ligjore të Kosovës, e cila administron institucionet publike dhe këtë sektor në Kosovë, të dëmshëm dhe të rrezikshme për zhvillimin dhe funksionimin e institucioneve publike dhe të pavarura të artit dhe kulturës, të dëmshme për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë, dhe shkatërruese për punën artistike dhe kulturore në Kosovë në përgjithësi”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e RRIPAK-ut.

RRIPAK

Por, Avni Rudaku, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për Kallxo.com se nuk e konsideron problematik bashkimin e MKRS me MASHT-in.

“Është në rregull të bashkëngjitet me MASHT-in, sepse kultura dhe arsimi gjithmonë janë të lidhura fort reciprokisht. MKRS duhet të lirohet nga mbipunësimi partiak, amatorë në pozita drejtuese e menaxhuese, transparenca në subvencione, auditimi i plotë për projektet, ndalja e zvarritjes së investimeve kapitale, hetimi për milionat e humbur te gropa e Fakultetit Teknik” etj”, ka thënë Rudaku për Kallxo.com.