Teatri i Gjilanit

Zbulohen emrat e të ftuarave në programin e 'Flakës interaktive’

Regjisorja Zana Hoxha- Krasniqi nga ‘Artpolis’, Armend Ukshini, menaxher në kompaninë ‘Kobit’ dhe Vullnet Sanaja, themelues dhe drejtor i festivalit “Anibar” do të jenë pjesë të programit të sivjtëm, “Flaka interaktive”.

Program i “Flakës Interaktive” është pjesë e Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe, “Talia e Fakalës” që organizohet në kuadër të edicionit të 29 të manifestimit gjithëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit” që po mbahet në Gjilan.

Festivali “Talia e Flakës” mbahet nga 22 deri më 26 janar 2020 në Gjilan. Ndërsa diskutimet në kuadër të programit “Flaka interaktive” mbahen më 23, 25 dhe 26 të këtij muaji.

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se programi Flaka Interaktive është krijuar ekskluzivisht për të siguruar një hapësirë në të cilën diskutohen tema e çështje të ndryshme rreth kulturës, teatrit, festivaleve dhe rolit të shoqërisë civile karshi tyre.

“Ideja e Flakës interaktive është që njerëz me background e përvoja të ndryshme nga fusha të ndryshme të diskutojnë për lidhshmërinë e tyre me teatrin e kulturën dhe që pastaj këtë përvojë ta shkëmbejnë dhe të gjenden forma të bashkëpunimin praktik mes tyre për të mirën e teatrit”, ka thënë Zymberi.

Diskutimet mbahen në skenën e vogël të Teatrit të Gjilanit, me fillim nga ora 13:00.