
Pamje nga përurimi i shtatores së Hasan Prishtinës. Foto: Facebook/Dritan Leli.
Vlora e nis sezonin turistik me përurimin e shtatores së Hasan Prishtinës
Qyteti i Vlorës e ka nisur sezonin turistik këtë vit me përurimin e shtatores së Hasan Prishtinës.
Shtatorja gjigande e patriotit nga Vushtrria, e punuar nga skulptori Sabri Behramaj, është përuruar të shtunën në sheshin kryesor të Vlorës, pranë shtatores së Ismail Qemalit.
Shtatorja e Hasan Prishtinës është përuruar në prani të një numri të madh të qytetarëve të ardhur nga Kosova, nga diaspora dhe qytetarëve të Vlorës.
Zbulimi i shtatores është bërë nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, përfaqësuesi i familjes Prishtina, Mehmet Prishtina, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe nga kryegjyshi bektashian, Baba Edmond Brahimaj.
“Shtatorja e përuruar në qytetin që u bë sinonim me pavarësinë shqiptare, le të jetë jo vetëm nderim i yni për atë vendosmëri të paepshme të Hasan Prishtinës, por edhe simbol i mirënjohjes që kemi për etërit e pavarësisë”, ka shkruar Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës në Facebook.
Kurse, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka shkruar në Facebook se vendosja e shtatores së Hasan Prishtiëns ia shton vlerën qytetit ku u shpall Pavarësisa e Shqipërisë.
“Fare pranë shtatores së Ismail Qemalit, krah Pallatit të Kulturës Labëria, shtuam e lartësuam, të gjithë bashkë, vlerat e një vendi që foli gjuhën e shqiptarisë”, ka shkruar Leli në Facebook.
“Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dinë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vetë figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë”, ka theksuar Mehmet Prishtina, familjar i Hasan Prishtinës dhe donator i shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë.
Pas zbulimit të shtatores është shfaqur edhe një program artistik dhe u promovua vepra muzikore “I ndrituri”, kushtuar Hasan Prishtinës me tekst të poetes Naime Beqiraj dhe muzikë e interpretim të Hysni Klinakut.
Hasan Prishtina ka lindur në Vushtrri më 1843 në qytetin e Vushtrrisë. Ka qenë kryeministri i tetë i shtetit shqiptar në vitin 1921. Është vrarë në Selanik në vitin 1933.