(VIDEO) Zbulohet rruga antike në Drenas

 

Arkeologët kosovarë pretendojnë se kanë zbuluar një rrugët të vjetër, ndoshta nga koha romake në fshatin Vërboc të Drenasit.

Gjurmët e kësaj rruge antike, mbi 430 metra e gjatë dhe e gjerë 4 metra, gjenden paralelisht me rrjedhën e përroskës së Verbocës, mes dy kalave të këtij fshati, Kalaja e Vërbocit (Kalaja e epërme)  dhe Lama e Kalasë (Kalaja e poshtme).

Rruga është zbuluar rastësisht, gjatë një ekspedite përnjohëse që arkeologu Arianit Buqinca pati me studentin e arkeologjisë Sami Haziraj, gjatë këtij viti.

Sipas arkeologëve, rruga e ruajtur pjesërisht, është e dëmtuar nga reshjet atmosferike dhe ngritja e nivelit të përroskës. Por, në gjendjen e tanishme, ka mbijetuar vetëm traseja e shtresë – rudus, ndërsa pavimenti i rrugës ka mbijetuar vetëm në një segment.

Arkeologu Arianit Buqinca ka thënë për KALLXO.com se gurët dhe mënyra se si është ndërtuar rruga janë dëshmi se kjo rrugë është antike- romake.

“Duket pjesa e pavimentit (Pavimentum), pjesa e sipërme e rrugës nga kanë ecur karrocat, ose popullata që kanë jetuar. Kjo është pjesa e rrugës – pavimenti që ka mbijetuar, pasi pjesa tjetër është shkatërruar. Pjesa tjetër, kjo këtu ngjason me nukleusin (Nucleus) që është shtresë me gurë të imët që është përdorur për nivelizimin e gurëve për pavimentin, që janë përdorur për sipërfaqe dhe rudusi (Rudus) që është shtresa me gurë të vrazhdë që janë përdorur si bazament me guri natyrorë, siç e kemi pjesën tjetër të rrugës që ka mbijetuar, aktualisht”, ka thënë ai.

Këtë konstatim, sipas tij e forcojnë gurët me të cilët është ndërtuar rruga.

Buqinca ka thënë se gurët që janë përdorur për shtrimin e shtresave të rrugës dallojnë prej gurëve lokal që gjenden në këtë pjesë, siç ka thënë ai janë sjellë nga diku, por edhe ekzistimi i shtresës së sipërme dhe mbijetesa e bordurave – anësoreve që kanë mbijetuar dhe janë të dukshme në pjesën më të madhe të rrugës.

Sipas tij, vjetërsia e rrugës lidhet me datimin e lokalitetit antik të Vërbocit.

“Me saktësi nuk mund ta datojmë, përveç që shihet se është rrugë antike. Predispozitat e para janë që rruga mund të jetë e antikitetit të vonë, por me saktësi kjo mund të dëshmohet vetëm me hulumtime të mëtejme që duhet të bëhen”, ka pohuar ai.

Arkeologu Milot Berisha, përmes postës elektronike ka thënë për KALLXO.com se në disa segmente të gjatësisë së rrugës vërehen bordurat (lat. crepidenes) në pjesën jugore të rrugës.


Arkeologu Milot Berisha. Foto nga Facebook

“Në pjesën veriore rruga mbështetet në kodrën e Kalasë së Vërbocit dhe ndjek luginën paralelisht me përroskën e Vërbocit. Në Lindje rruga merr drejtimin për në veri në drejtim të hyrjes së Kalasë së Vërbocit përderisa në perëndim mund ta ndjekim deri në hyrjen e Lamës së Kalasë e cila gjendet në pjesën perëndimore të Lamës. Në Jug- perëndim rruga kalon përroskën dhe e ndjek rrëzën e Lamën e Kalasë deri te segmenti tjetër rrugor në jug e cila kthehet dhe duket të ketë qenë hyrja në Lamën e Kalasë”, ka pohuar Berisha.

Për studim të mëtejmë arkeologëve u duhet edhe mbështetja e Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Enver Rexha, drejtor i IAK-së thotë për KALLXO.com se arkeologët do të kenë mbështetje logjistike për studimet tyre për rrugën antike në Vërbovc.

Por, kjo duket të jetë një sfidë për IAK-në.

“Ne si institut e kemi për obligim që këto risi t‘i hulumtojmë, t‘i gërmojë apo të bëjmë testime plotësuese, dhe shpresoj që të na jepen mundësitë. Ne më herët kemi pasur edhe fond të veçantë prej 100 mijë eurove për gërmimet që nuk janë në program të punës, por që janë risi. Tash nuk e kemi këtë fond, sepse në këto dy vjet e fundit s’kemi as xhirollogari dhe e kemi probleme logjistike, dalje në terren me vetura, etj. Shpresoj që të rregullohen edhe aktet legjislative të cilat në këto vitet e fundit, na kanë penguar në ushtrimin e veprimtarisë edhe shkencore dhe të gjejmë mundësi të jemi në shërbim të hulumtuesve”, ka thënë Rexha.