Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

(VIDEO) Shtatë netë promovim i kulturës, përfundon Festivali “EtnoFest”

Mes një audience të larmishme, fundin e aktiviteteve të edicionit të njëmbëdhjetë të “EtnoFestit” ia dha plaku i vjetër i fshatit Kukaj, 84 vjeçari, Daut Xhemshiti me këngën “Mora knatën me shku në kru’.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas gjashtë netëve festival me shfaqje e performanca, natën e fundit çmimet dhe mirënjohjet për artistët më të mirë i ndau regjisorja Melihate Qena.

Qena u ndje shumë e kënaqur që ka pasë mundësinë të gjallërojë vetën dhe profesionin e saj, përmes përcjelljes së këtij festivali për shtatë ditë.

 

“Besoni njerëzit kur dalin për këtu, kanë me dalë më të fisnikëruar, më të butë dhe kanë me pas pak më shumë konsideratë edhe për veten edhe për të tjerët”, shprehet Qena.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çmimet e gdhendura në gurë u ndanë për artistët më të mirë të Festivalit: këngëtaren Zana Ramadani; valltaren Vjollca Llugiqi; valltarin Fisnik Smani; instrumentisten Lumturie Nanaj; kostumografinë Etno Ansambli “Fortesa” Kërçovë, Etno ansamblin “Deçani” nga Deçani; Etno performancën, Feim Leka; skenografinë e Mentor Berishës në shfaqjen “Pa mua”; aktoren Donika Ahmeti në shfaqjen “Pa mua”; Etno koreografinë e  Robert Nuhës; aktorin, Shpëtim Selmani në shfaqjen “Audienca”, shfaqjen“N’Dry” nga Ilirjana Arifaj; për regji Ilirjana Arifaj, çmimi special i EtnoFestit shkoi për grupin “Noa Theatre Company”.

Mirënjohje iu ndanë regjisorit Skender Latifit, poetëve Primo Shllaku, Vlora Ademi, Emin Emini, Halil Matoshi, Joan Lorin Sterian, Naime Beqiraj, ambasadorit të SHBA-së në Kosovës, Philip Kosnet, artistëve të arteve të bukura Zake Prevlukaj, Adem Kastrati, Agron Blakqori, Jakup Ferri, Sabri Behramaj, Jasmir Morina, Vehbi Murati, Gani Bytyçi, Halil Matoshit, Burim Gashi dhe Theranda Sertollit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 Tradita e këtij festivali, po tentohet të shpërndahet edhe nëpër fshatra tjera të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha që duke folë nga pozicioni zyrar e institucional mbi vizionet për mbrojtjen e trashëgimisë, mbeten të zbehta në një ambient që e sheh të realizuar atë vizion, prej një ideje e ëndrre që në fillim ndoshta  është paragjykuar.

“Mua nuk më takon më shumë se sa ditëve, javëve në vazhdim të iu ftoj të ulemi e të flasim për dy çështje e para etno fshati, etnofesti si mund të zgjerohet më tutje të rritet edhe më shumë dhe e dyta se si këtë koncept që e keni zbrit nga ëndrra në realizim praktik ta shndërrojmë në një element të replikueshëm për vendet e fshatrat e tjera të Kosovës dhe ta promovojmë konceptin e mbrojtjes së trashëgimisë”, tha ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa, organizatori i Festivalit, regjisori Fadil Hysaj tha që zgjerimin e EtnoFestit nëpër fshatra tjerë e sheh si vizon shumë të madh, por vizion i cili do të gjallëronte jetën kulturore në fshatra.

“Ajo që e foli ministri e shoh si një vizion më shumë se ajo që e kemi bërë këtu dhe uroj që me konsekuencë dhe vendosmëri që këtë mandat katër vjeçar ta shfrytëzoj që fshatrat tonë të frymojnë me kulturë dhe ta arrijmë ata që ka vdekë, po që nuk ka vdekë në fshatrat tanë, traditën tonë ta ringjallim dhe të i japim vendin e vet në kulturë dhe të shohim se Kosova det nuk ka por ka një bukuri të jashtëzakonshme, ka një traditë fantastike, tepër të çmueshme por nëse arrijmë ta qesim në pah, mund të jetë një adresë e dobishme turistike edhe kulturore dhe një formulë identitare që na duhet së paku për një minimum krenarie që na duhet të mos kemi kompleksin e inferioritetit”, tha Hysaj.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për gati një javë aktivitete në fshatin tradicional Kukaj, fundin këtij festivali ia dha ‘Familja Qerimaj’ nga Tirana me muzikë të përzgjedhur.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com