Veprat e Valbona Zherkës kthehen në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit

Dy veprat e artistes të Valbona Zherka, “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës”, pas restaurimit, janë kthyer në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK) në Prizren, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se artistja Valbona Zherka me vetëiniciativë ka marrë përsipër të bëjë restaurimin e këtyre dy veprave, të cilat i ka kthyer më pas për ekspozim në sektorin e Galerisë së Arteve në Kompleksin e Lidhjes.

Për këtë qëllim gjatë ditës së sotme, në QRTK në Prizren, është organizuar një ceremoni solemne nga kjo qendër dhe Autostrada Biennale, me ç’ rast autores Zherka iu dha një mirënjohje.

“Restaurimi i dy veprave ‘Qëndresa’ dhe ‘Kullat e Qëndresës’ të autores Valbona Zherka, të punuara me teknikën thurje klasike e leshit, ishin në gjendje jo të mirë dhe mjaft të dëmtuara, si rezultat i vjetërsisë së tyre, andaj kanë pasur nevojë imediate për trajtim dhe restaurim urgjent”, thuhet në komunikatë.

Sipas QRTK-së në Prizren, veprat e autores Zherka “Qëndresa” dhe “Kullat e Qëndresës”, kanë qenë të ekspozuara në sektorin e Galerisë së Arteve që nga viti 1978 me rastin e shënimit të njëqind vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, andaj ato paraqesin frymëzimin e artistëve tanë të cilët me pasion të madh, për shkak të rëndësisë që kishte ky shënim, realizuan një radhë krijimesh të bukura për nderë të këtij përvjetori jubilar.