Vdes këngëtari Liam Payne, ish-ylli i grupit 'One Direction'
Liam Payne ish-ylli i grupit muzikor “One Direction”, ka vdekur në moshën 31-vjeçare në Argjentinë pas rënies nga kati i tretë i ballkonit të një hoteli në Buenos Aires, ka njoftuar më 17.10.2024 policia argjentinase, raporton BBC.
Në një komunikatë për media, policia ka bërë të ditur se e ka gjetur trupin e Payne pas një thirrjeje telefonike për ndihmë urgjente në lagjen Palermo.
Payne kishte bërë emër në shkallë botërore si pjesë e një bendi të dashur të krijuar në shoun televiziv X Factor më 2010, bashkë me Harry Stylesin, Louis Tomlinsonin, Niall Horanin dhe Zayn Malikun.
Më herët gjatë muajit, Payne kishte marrë pjesë në një koncert në Argjentinë të ish-anëtarit të “One Direction”, Niall Horan.
Sipas policisë në Buenos Aires, zyrtarët në vendin e ngjarjes u janë përgjigjur fillimisht raporteve për “një burrë agresiv që ishte në efektin e drogës dhe alkoolit”.
Kur kanë arritur në hotel, zyrtarëve u është thënë se një zhurmë ishte dëgjuar në oborrin e brendshëm. Pas pak e kanë zbuluar trupin e këngëtarit. Policia ka nisur hetimin e shkakut të vdekjes.
Drejtori i shërbimeve emergjente mjekësor, Alberto Crescenti, ka thënë për mediat lokale se Payne kishte pësuar “lëndime serioze” dhe se po kryhej autopsia e trupit të tij.
Crescenti ka refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve për rrethanat e vdekjes së Paynes dhe për rënien e tij nga ballkoni.
Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se është në kontakt me autoritetet në Argjentinë lidhur me “raportet e një shtetasi britanik”. Nuk janë më shumë hollësi.
Payne ishte shfaqur në rrjetin social Snapchat pak orë para incidentit, duke thënë: “Është një ditë e bukur në Argjentinë”.
Me t’u dhënë lajmi për vdekjen, adhuruesit kanë nisur të mblidheshin para hotelit në Buenos Aires, duke detyruar policinë të vendoste kordon para hyrjes. Shumë prej tyre kanë ndezur qirinj në shenjë homazhi.
Payne kishte kënduar në duet me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Orën, hitin “For You”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com