Vazhdon rrugëtimi i hyjneshave të Arjeta Miftari, ekspozohen në Dubai

Fotografi të hyjneshave të skulptores Arjeta Miftari janë ekspozuar në Galerinë ‘Art Unity’ në Dubai.

Ekspozita me vepra të artistes kosovare është hapur sot dhe do të qëndrojë e hapur në këtë galeri deri më 23 nëntor 2019.

Ekspozimi dhe kurimi i veprave të Miftarit në Dubai është organizuar nga Aurela Cuku.

Skulptorja Arjeta Miftari ka konfirmuar për Kallxo.com, ekspozimin e veprave të saja në Dubai në kuadër të ‘Vitit të tolerancës 2019’.

“Këto ditë në Galerinë ‘Art Unity’ në Dubai është hapur ekspozitë e artistëve nga e gjithë bota, dhe në mesin e tyre janë edhe veprat e mia. Në pamundësi për të dërguar skulptura në Dubai janë ekspozuar fotografi të hyjneshave”, ka thënë për Kallxo.com skulptorja Arjeta Miftari.

Veprat e skulptores Mifatri në këtë ekspozitë në Dubai po përfaqësojnë Kosovës në kuadër të ‘Vitit të Tolerancës 2019’ në mesin e 35 shteteve të ndryshme të botës.