Varroset me nderime regjisorja Arzana Kraja

Mijëra qytetarë, kolegë e familjarë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit regjisores Arzana Kraja, e cila vdiq një ditë më parë në Prishtinë.

Regjisorja Kraja është varrosur sot pasdite në varrezat e qytetit në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë.

Një fjalë rasti mbajti Teuta Krasniqi, e cila tha se regjisorja Kraja iku në kohën kur kishte ende shumë për të dhënë e për të thënë.

“Kishim nevojë që ti ende të flisje, kishim nevojë që ende të punonim së bashku. Sot është ditë pikëllimi për familjen dhe të afrimit e Arzanës, miqtë dhe kolegët e saj, për botën e artit dhe veçanërisht kinematografinë. Na le Arzanë, na pikëllove pa masë me ikjen tënde të hershme prej kësaj bote. Ike shpejt ashtu siç jetove, ike po na le mundësinë që të krenohemi me ty dhe veprat tua”, ka pohuar Teuta Krasniqi.

Regjisorja Arzana Kraja është gjetur e vdekur dje paradite në lagjen “Kalabria”, në Prishtina. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes.