Foto: ZKM

VAPIK reagon pas vendimit të qeverisë për shtyrjen e implementimin të vendimit për tarifat për të drejta e autorit

Shoqata për menaxhimin kolektiv të drejtave të autorit në fushën audiovizuel, VAPIK  ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e afatit të implementimit të vendimit për pagesat për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit.

Në reagimin e tij, VAPIK konstaton se vendimi i qeverisë për shtyrjen e afatit të pagesave për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rast transmetimi deri më 1 prill 2021, është marra pa u konsultuar me këtë shoqatë.

“Me 30 Tetor 2020, Qeveria e Kosovës, pas një takimi privat mes kryeministrit dhe përfaqësuesve të operatorëve kabllorë, merr një vendim që është në kundërshtim me vendimin e më hershëm unanim të saj dhe shtyn implementimin e këtyre tarifave për datën 1 prill 2021. Ky vendim u mor pa pjesëmarrjen dhe pa u konsultuar me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave te Autorit, si pala tjetër në këtë marrëveshje; dhe pa prezencën e Zyrës për të Drejtën e Autorit, si pala neutrale – përfaqësuese e Qeverisë dhe propozues i tarifës”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e VAPIK-ut

Përmes këtij reagimi, VAPIK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shfuqizojë vendimin për shtyrjen e implementimit të vendimit për pagesën e lëndës së mbrojtur në rast transmetimi; që pagesa mujore për abonues të jetë 0.70 cent. Po ashtu VAPIK kërkon që tarifat mujore të aprovuara të jenë të vlefshme retroaktivisht, që nga data kur operatorët kabllorë janë kontaktuar nga shoqata për menaxhim kolektiv, në vitin 2013.

VAPIK ka kërkuar edhe nga Komisioni i Pavaruri i Mediave respektim të ligjit kur është në pyetje shfrytëzimi i të drejtave të autorit nga operatorët kabllorë.

Muajin e kaluar, më 16.10.2020 Qeveria miratoi vendimin për caktimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e të drejtave të autorit në rast transmetimi. Por, të premten e kaluar Qeveria vendosi të shtyjë implementimin e këtij vendimi deri më1 prilli 2021.

VAPIK-Reagimi për tarifat