Vallja e Tropojës futet në UNESCO
Vallja e njohur “K’cimi i Tropojës” është shpallur edhe zyrtarisht pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale Botërore të UNESCO-s.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi se Facebook, se vallja “K’cimi i Tropojës” është bërë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
“Mirëmëngjesi dhe me lajmin e bukur se ‘K’cimi i Tropojës’ shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, si edhe me kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës, ju uroj një ditë të mbar”- ka shkruar Rama në Facebook.
“K’cimi i Tropojës” është bërë pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, që po mbahet në Asuncion, Paraguaj, nga 1 deri më 7 dhjetor 2024.
Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka vlerësuar futjen e “K’cimi i Tropojës’ në UNESCO.
“’K’cimi i Tropojës’ shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO! Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguaj, “K’cimi i Tropojës” është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Një trashëgimi që përçon ritmet, emocionet dhe identitetin tonë kombëtar, tashmë të njohur në nivel global si një thesar kulturor. Një tjetër hap drejt lartësimit të vlerave kombëtare duke na bërë dhe me krenarë për vendin tonë!”- ka shkruar ministri Gonxhja në Facebook.
Më 31.03.2021, ministrja e atëhershme e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, pati bërë të ditur se ka nënshkruar dokumentet për kandidatin zyrtar për në UNESCO të Valles së Tropojës dhe të Xhubletës.
Vallja e Tropojës ose ndryshe “K’cimi i Tropojës” është një valle tradicionale e përhapur në Malësinë se Gjakovës. Kjo valle shquhet për ritmin dhe ekspresivitetin e veçantë.