Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vaksinimi kushtëzon punën artistike në teatrot kosovare 

Pavarësisht se nuk janë të detyruar të vaksinohen, stafet artistike të teatrove kosovare, do ta kenë të vështirë të jenë pjesë e shfaqjeve nëse nuk kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës anti-COVID-19, testit PCR negativ apo të testit serologjik.

Sipas vendimit të fundit të Qeverisë për masat antiCOVID-19, punëtorët e teatrove, duke përfshirë edhe stafet artistike, nuk mund të hynë në vendin e punës nëse nuk kanë dëshmi për vaksinim, testin PCR apo atë serologjik.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, pika 9-të obligon menaxhmentin e institucioneve të kontrollojnë punëtorët nëse posedojnë njërën nga këto dëshmi, para se ata t’ia fillojnë punës.

Pavarësisht se nuk detyrohen të vaksinohen, vendimi i Qeverisë praktikisht ia pamundëson personalit artistik angazhimin në shfaqjet e teatrove ku punojnë, pa dëshmitë antiCOVID-19.

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe drejtues të teatrove kosovare, kanë thënë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë vendim për vaksinim të detyruar të punëtorëve të këtyre institucioneve.

Sipas tyre, institucionet janë të obliguar të veprojnë sipas masave në fuqi të institucioneve kundër Coronavirsit.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë për KALLXO.com se vendimin për vaksinim të detyrueshëm e merr qeveria.

“Vendimin për vaksinim të detyrueshëm e vendos Qeveria e Republikës së Kosovës. Besoj që vendimi për vaksinim të detyrueshëm do jetë valid për të gjithë zyrtaret publik”, ka thënë ajo.

Naser Shatrolli, Ushtrues i Detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë një vendim që detyron vaksinimin e stafit të TKK-së.

“Bazuar në kërkesat e IKSHPK – së, në përvojat rajonale dhe ato evropiane, personat që nuk vaksinohen ose që nuk kanë dokumentacionin përkatës, nuk do duhet rrezikuar procesin e punës dhe mbarëvajtjes në Teatrit Kombëtar, në këtë rast. Fundja, kështu do të veprohet kudo. Ne nuk kemi një vendim të tillë për momentin, por masat do duhej përkthyer mbi këto limite”, ka thënë Shatrolli.

Ndërkaq, Burim Mustafa, drejtor i Teatrit “Bekim Fehmiu” të qytetit të Prizrenit, ka thënë për KALLXO.com se nuk mund ta detyrojnë asnjë aktor që të vaksinohet, përveç obligimit që t’u kërkohen dëshmitë sipas vendimit të Qeverisë

“Ne punojmë sipas masave antiCOVID-19, të Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk mund ta detyrojmë asnjë aktor që të vaksinohet për të punuar në teatër, por obligohemi qe t’i kërkojmë dëshmi të vaksinimit, testit PCR negativ, apo të testit serologjik. Gjithmonë sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Mustafa.

Sipas vendimit të Qeverisë për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, të gjithë punonjësit e institucioneve publike duhet të posedojnë një nga dëshmitë antiCOVID-19, për t’u lejuar në punë.

“Të gjithë punonjësit e institucioneve publike, si dhe personeli i ndërmarrjeve publike në pronësi të Qeverisë apo të një komune, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e cekura në pikën 2.1 deri 2.4, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës”, thuhet në pikën 8 të këtij vendimi.

Po sipas këtij vendimi, teatrot nuk mund të japin shfaqje në prani të publikut deri në një vendim të ri të Qeverisë së Kosovës.