MKRS. Foto: Isa Vatovci/KALLXO.com.
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturë denoncohet në polici për sulm fizik
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xheladin Krasniqi, është denoncuar në Polici se ka sulmuar fizikisht Miftar Latifin, punëtor në këtë Ministri.
Denoncimi është bërë nga vetë Miftar Latifi, u.d. i Udhëheqësit të Divizionit të Teknologjisë së Informacionit dhe Shërbimeve Logjistike në MKRS. Rasti dyshohet se ka ndodhur të martën, më 12.112024, në zyrën e sekretarit të MKRS-së rreth orës 16:00.
Të kontaktuar nga KALLXO.com, Latifi e u.d. sekretari Krasniqi e kanë konfirmuar rastin. KALLXO.com, mëson se shkas për këtë rast janë thashethemet e dëgjuara nga u.d. sekretari nëpër korridoret e MKRS-së, lidhur me vendimet e tij të marra si u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm.
I kontaktuar nga KALLXO.com, Miftar Latifi ka thënë se posa është ulur në zyrë është kërcënuar nga u.d. sekretari Krasniqi, i cili sipas Latifit e ka kap edhe për pallto. Ndërsa, Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se ka ngritur zërin gjatë bisedës me Latifin dhe e ka kap për krahu për ta larguar nga zyra.
Zyrari Latifi ka thënë për KALLXO.com se të martën (12.11.20254) është njoftuar nga një koleg se po e kërkon sekretari Krasniqi.
“Kam shku në zyrën e tij, rreth orës 4, pasdite, jemi ulë përballë njëri-tjetrit edhe më ka thënë ‘ça ke thënë t’i për vendimet e mija për dy zyrtarë të ministrisë’, edhe unë i kam kthy një përgjigje e i kam thënë ‘a bën me ma sqaru çka po don me thënë’. Pa një pa dy u çu m`u ka afruar te fytyra dhe me thënë ‘t’mys’, jam ndal i habitur, e kam këqyr, s’ ka reaguar, më ka kap për jakë të jaknës, ia kam largu duart dhe jam nis me dal jashtë dhe i kam thënë se ‘kjo punë s’ kryeht me qikaq’ dhe më ka thënë ‘kur të dush edhe qysh dush’. Kam nis me dal përjashta, ka marrë turr për me qelë derën e zyrës dhe t`u më shty më ka qitë jashtë, janë kamerat me vërtetu këtë, kaq ka qenë krejt ngjarja” – ka thënë Latifi, për KALLXO.com.
Ai ka thënë se rasti në Polici ka paraqitur sot, më 13.11.2024. Latifi ka thënë se dëshmitari i gjithë kësaj ngjarje është edhe një koleg- punëtor i MKRS-së. Latifi ka thënë se nuk ka pasur ndonjë problem ose ndonjë presion më herët nga Krasniqi.
Por Xheladin Krasniqi, u.d. së Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, ka mohuar ta ketë sulmuar Latifin. Ai ka thënë se e ka ftuar Latifin në zyrën e tij dhe t’i ketë thënë se pse po i diskuton me zyrtarë tjerë çështjen e vendimeve apo transferimet e punëtorëve në MKRS, lidhur me vendimet e tij të marra si u. d. Sekretar.
“E kam thirr zyrtarin (Miftar Latifin) në zyrë time, ka qenë ora diku 03:50 pas dite, (E martë 12.11.2024) dhe i kam kërkuar ‘çka është kjo çështje, pse duhet me kanë çështje e diskutimit e jotja me zyrtarë të tjerë të cilëve unë iu kam bë vendime ose i kam transferuar në vende tjera për nevoja të punës. Me të thënë të drejtën pak e çova zërin, është e vërtetë dhe u çova në këmbë për më i thanë çohu dil jashtë, po s’çonte, edhe ma bërë me gisht ulu aty. I thash çohu të lutem lëshoma zyrën edhe dil jashtë. Po është e vërtetë e kam kapë pak për krahu dhe e kam qitë jashtë, t`u dal ai jashtë zyrës sime më tha majmun edhe e lash me dal, ky ka qenë krejt konflikti im më të”- tha Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se deri në prononcimin për KALLXO.com nuk ka qenë i ftuar nga Policia për këtë rast.
Por, zyrtari Latifi ka mohuar që Krasniqit t`ia ketë drejtuar gishtin apo t’i ketë thënë majmun. “Jo, jo, këto janë vetëm arsyetime të tij. Vendimet për punëtorët i merr ai dhe unë për të tilla vendime s’kam çka diskutoj”- ka thënë Latifi.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Në lidhje me këtë rast është prononcuar edhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku pas mbledhjes së Qeverisë.
“Dhuna ose sulmi fizik janë të papranueshme, të pa tolerueshme, askush nuk ka të drejtë të përdor dhunë ndaj dikujt tjetër, sidomos në institucione, në momentin që do të marrim informatat do të ndërmarrim veprimet e nevojshme”- ka thënë Çeku.
Çeku ka thënë se janë duke u mbledhur informata dhe faktet për këtë rast. Sipas tij, të njëjtën është duke e bërë edhe policia.