Performancë gjatë Festivalit UNUM Foto nga Valeriu Catalineanu
“Unum Festival” mblodhi rreth 20 mijë adhurues nga e gjithë bota
Në edicionin e katërt me radhë, “Unum Festival” mblodhi rreth 20 mijë pjesëmarrës, adhurues të muzikës elektronike.
Plazhi “Rana e hedhun” në Shëngjin nga data 1 deri më 6 qershor mori tjetër ngjyrë nga gjithçka që ishte përgatitur për festivalin e muzikës elektronike 24 orë, në tri skena të ndryshme.
Organizatorët e këtij festivali rëndësi të madhe i kanë dhënë edhe sigurisë dhe kujdesit ndaj mjedisit. Madje duke ofruar edhe pako të ndryshme për akomodime të rehatshme.
Ata thanë se “Unum Festival” tashmë është futur në top-listat e festivaleve botërore.
“Në emër të ‘Unum Festivalit’, dua t’i falënderoj te gjithë pjesëmarrësit nga e gjithë bota, bashkëpunëtorët, mediat, përkrahësit si dhe mbi 480 të rinj e të reja që punuan pa u ndalur e pa gjumë që ky edicion i katërt të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm. Ky edicion na dhuroi plot emocione si dhe eksperiencë të paharruar. Jemi të kënaqur me pjesëmarrjen si dhe futjen e Unumit në top-listat e festivaleve botërore” – ka thënë Ardin Badivuku, njëri nga organizatorët.
Gjatë këtyre ditëve performuan disa prej DJ të mëdhenj botërorë: MARCO CAROLA, RICARDO VILLALOBUS, SONJA MOONEAR.
“Unum Festival” tashmë mbetet një prej festivaleve më të mira në Evropë sa i përket gërshetimit të kulturave nga e gjithë bota.