
Ura e Gurit në Vushtrri. Foto: KALLXO.com.
U dhanë mijëra euro për restaurim, degradohet monumenti i trashëgimisë në Vushtrri
Mijëra euro janë dhënë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti për restaurimin dhe konservimin e Urës së Gurit në Vushtrri.
Intervenimet e fundit me karakter shpëtimi të këtij monumenti, nga institucionet vartës të MKRS-së janë bërë në 2018 e të cilat kanë kushtuar mbi 32 mijë euro.
Por, pas afro tri vjetëve gjendja e Urës së Guri në Vushtrri është goxha e keqe.
Mjafton një vizitë e shkurtër për të verifikuar situatën denigruese në të cilën është lënë për vite ky monument.
Pa plan menaxhimi dhe pa përkujdesje gjendja e këtij monumente nuk dallon nga ajo e para restaurimeve.
MKRS-së ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com se në kuadër të zbatimit të projektit për sanimin e parmakëve të gurëve me bazamente në Urën e vjetër të Gurit në Vushtrri, janë paraparë tri faza të restaurimit.
Sipas MKRS-së, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka zbatuar një projekt për eliminimin e parmakëve të gurëve me bazamente në Urën e vjetër të Gurit në Vushtrri, i cili ka ardhur si rrjedhojë e rrënimit të parmakëve me bazamente në vitin 2017.
“Faza e parë dhe e dytë është zbatuar gjatë vitit 2017 dhe 2018 me vlerë të përgjithshme financiare prej 32,940.54 euro. Ndërsa faza e tretë nuk është zbatuar”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për KALLXO.com.
MKRS ka thënë se për këtë aset të trashëgimisë kulturore ka hartuar draft planin e menaxhimit, por që ende nuk është finalizuar.
Ura e Gurit në Vushtrri është monumentit nën mbrojtje të përkohshme të shtetit.
Kjo urë konsiderohet një prej aseteve më të veçanta të trashëgimisë sonë kulturore.
Përveç vjetërisë-historikut, veçantisë inxhinierike, Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit Sitnica, lum i cili shekuj më parë ndërroi rrjedhën dhe tash rrjedhë diku një kilometër në perëndim të urës.
E njohur edhe si ‘Ura e Vjetër e Gurit’ nga banorët vendase, kjo urë thuhet të jetë ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane apo edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake.
Studiues vendas, thonë se mbishkrimet latine që kanë ekzistuar në gurët e urës, janë hequr nga punëtorët shkencorë të Beogradit.
Deri në vitin 1902 ura në mes kishte një lartësi diku 7,5 metra, tani nga ajo lartësi e urës mund të shihen vetëm 3,7 metra.









