Tri shfaqje nga Kosova në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Maqedoni

Tri shfaqje kosovare marrin pjesë në Edicionin e 18-të të Festivalit të “Teatrit Shqiptar në Maqedoni”, që po mbahet në qytetin e Dibrës.

Dy prej tyre, shfaqja ‘Shfaqja që shkon keq” dhe komedia “Kopraci”, shfaqen në konkurrencë zyrtare. Ndërsa shfaqja ‘Karnavalet e Korçës” e Teatrit Kombëtar të Kosovës jepet në mbyllje të festivalit, jashtë konkurrencës.

Shfaqja “Shfaqja që shkon keq” e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, jepet nesër, në 9 tetor 2019, kurse komedia ‘Kopraci” e Teatrit “Adriana” të Ferizajt do jepet një ditë më vonë, më 10 tetor 2019.

Edicioni i 18-të i Teatrit Shqiptar në Maqedoni ka nisur më 5 tetor 2019 në shtëpinë e Kulturës në qytetin e Dibrës.

Festivali ka karakter garues dhe në fund të tij do të ndahen edhe çmimet: Shfaqja më e mirë, regjia më e mirë dhe aktori/ja më e mirë.

Pjesë e këtij festivali janë shfaqje nga Tetova, Gjirokastra, Presheva, Gjilani, Prishtina dhe Ferizaj.

Festivali mbyllet më 11 tetor 2019 me shfaqjen e komedisë “Karnavalet e Korçës” të Teatrit Kombëtar të Kosovës, jashtë konkurrencës dhe me ndarjen e çmimeve.