Foto: Kallxo.com

Trashëgimia kulturore e Prizrenit me rrethinë e ekspozuar në Kala - VIDEO

 

Qyteti i Prizrenit dhe rrethinat e tij janë pjesë e rëndësishme e qytetërimit iliro –dardan. Kjo dëshmohet përmes artefakteve dhe monumenteve të gjetura në periudha të ndryshme historike në Prizren dhe rrethinë, veçmas në Kalanë e këtij qyteti.

 

Këto dëshmi tani ruhen dhe janë prezantuar në Muzeun e Kalasë së Prizrenit.

Gjithë artefaktet që përbëjnë ekspozitën e këtij muzeu janë gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike në zonën jugore të Rrafshit të Dukagjinit, në  Prizren, Kala apo lokalitete arkeologjike në rrethinat e Prizrenit.

Enë të ndryshëm stoli, pitosë të madhësive të ndryshme, mjete dhe vegla pune, armë e gjyle topash, përmbledhin më së miri historinë shumëdimensionale të popullsisë së kësaj treve, që nga neoliti e deri te Lufta Ballkanike, 1913.

Artefaktet e ekspozuara janë të përcjellura edhe me vizatime dhe shënime përmes së cilave vizitorët do të marrin informacionet si është zhvilluar jeta sociale në periudha të ndryshëm kohore. E numri i vizitorëve për të parë ekspozitën në Muze ka qenë i madh.

Drejtuesi i Muzeut të Kalasë së Prizrenit, arkeologu Shafi Gashi, ka pohuar se që nga hapja e muzeut në fillim të gushtit të 2019, numër i vizitorëve për të parë ekspozitën ka qenë i madh, sidomos, siç ka thënë ai, gjatë verës kishte mbi 1,000 vizitorë në ditë.

“Gjithë kultura materiale që është në Zonën e Dukagjinit Jugor dhe në Kalanë e Prizrenit është prezantuar këtu dhe çdo vizitorë ka mundësi të thithë informacione jo vetëm për trashëgiminë arkitekturore të Kalasë por edhe trashëgiminë e luajtshme  që është zbuluar në zonën e Dukagjinit Jugor dhe në Kalanë e Prizrenit”, tregon Gashi.

Ai ka thënë se ekspozita prezanton një periudhe mijëravjeçare të historisë së rajonit të Prizrenit.

“Kultura materiale është prezantuar që nga neoliti i hershëm, kryesisht nga vendbanimet që janë si Vlashnja, Hisari, Korisha, Reshtani dhe disa lokalitete të zonës dhe duke filluar dhe mbyllet pothuajse me luftërat ballkanike gjegjësisht kultura e Kalasë deri në vitin 1913, kur braktiset si monument dhe pastaj i nënshtrohet një degradimi sidomos në mesin e dy luftërave botërore deri në vitet e i 1950-ta”, thotë Gashi.

Gashi ka thënë se ekspozita është një prej projekteve më të rëndësishme që është realizuar gjatë këtij viti, por problemet me menaxhimin ende nuk janë mbyllur.

Gashi ka thënë se me uljen e temperaturave dhe me fillimin e reshjeve muzeu do të mbyllet, për t`u rihapur me përmirësimin e motit.

Rruga për në kala është shumë e pjerrët dhe mban ngrica apo kur bie borë, brymë ose lagështi vizitorët e kanë të pamundur të ngjiten.

“Kur është koha e ftohtë me pamundësi që vizitorët të vijnë këtu e mbyllim sallën. Mundësitë për t`u ngjitur në kala janë këto që i pamë, por shpresojmë që ai projekti i famshëm i një teleferiku të realizohet, sepse gjithë monumentet në Evropën qendrore, por edhe në Ballkan, qasja ju mundësohet moshave të ndryshme, personave me nevoja të veçanta dhe shumë kategorive të tjera, pasi edhe me ligj është e obliguar që t`ju ofrohen shërbime edhe këtyre kategorive të vizitorëve”, thotë ai.

Gashi tregon se pasuria kryesore e kësaj ekspozite është vitrina që ka të prezantuar kulturën iliro – dardane, e cila prezanton enë kulti, stoli dhe armë të ndryshme, të gjetura kryesisht në objekte varresh, në nekropole nga zona e Dukagjinit Jugor.

“Kjo është një vitrinë veçantë sepse prezanton pak a shumë gjithë atë vijueshmërinë e kulturës iliro – dardane që nga periudha e bronzit e vonë deri në periudhën e para pushtimit romak. Një periudhë gati 2000 vjeçare para erës sonë”, thotë Gashi.

Ngjitur me Sallën e ekspozitës është edhe depoja në të cilën grumbullohen artefaktet e gjetura gjatë ekspeditave arkeologjike të cilat i nënshtrohen restaurimit.

Gashi ka treguar se ekspozita përmbledhë artefakte mjaft të vlefshme për prezantim të historisë mijëravjeçare të trevës së Dukagjinit Jugor që nga neoliti. Si vegla pune, stoli, armë, tuma ilire, pitosë, monedha të periudhës ilire të mesjetës deri të periudhës osmane.

Ekspozita prezanton edhe artefakte nga koha e Lidhjes së Prizrenit, si armë, gjyle topash, deri te ato të Luftërave Ballkanike të vitit 1913.

Kalaja e Prizrenit është një prej monumenteve më të rëndësishme sepse sipas Gashit ka pothuajse një jetë 4 mijë vjeçare të pandërprerë, sidomos shtresat kulturore pas shekullit të IV deri në shekullin të XI.