Rrënohet shtëpia qindra vjeçare në Mitrovicë 

Një shtëpi qindra vjeçare është rrënuar dje në qytetin e Mitrovicës. E njohur si shtëpia Asim Leniqi, ky objekt i vjetër, një ditë më parë është rrënuar tërësisht për t’i hapur rrugën një ndërtese shumëkatëshe banimi.

Zyrtarë të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë kanë konfirmuar për KALLXO.com se nga 2014-ta  kjo shtëpi nuk është pjesë e listës të përkohshme të mbrojtjes.

Nga 2003 e deri në 2011 Shtëpia e Asim Leniqit, sipas zyrtarëve të QRTK-së në Mitrovicë ishte pjesë e listës së inventarizuar të trashëgimisë kulturore. Ndërsa nga 2011 deri në 2013 ishte pjesë e Listës së përkohshme të objekteve nën mbrojtje të shtetit.

Si aset me vlera të trashëgimisë ky monumente figuron  edhe në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës, me numër: 000434, dhe sipas kësaj faqja në mbrojtje të përkohshme ishte deri ne 2013.

Rrezarta Loxha Vitaku, drejtoreshë e QRTK-së në Mitrovicë ka thënë për KALLXO.com se shtëpia e Asim Leniqi në 2014 është larguar nga Lista e monumenteve në mbrojtje të përkohshme për shkak të humbjes së vlerave kulturore.

Drejtoresha Loxha- Vitaku ka thënë se ky objekti ishte pjesë e listës së hartuar nga ekspertët më 2003 dhe në 2011 gjithë ajo listë së bashku me Shtëpinë e Asim Leniqit morën statusin e mbrojtjes së përkohshme.

Sipas saj, objekt në vazhdimësi është degraduar dhe në 2014 sipas vlerësimit të ekspertëve, objekti është hequr nga lista e mbrojtjes së përkohshme.

“Largimi këtij objekti nga lista e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme është bërë për shkak të humbjes së vlerave. Objekti në vazhdimësi ishte degraduar dhe sipas ekspertëve ai objekt më nuk paraqiste vlera kulturore- të trashëgimisë”, ka pohuar Vitaku

Shtëpia e Arsim Leniqit është ndërtuar në shekullin e XVIII dhe gjendej në qendër të qytetit të Mitrovicës.

Sipas data bazës së Trashëgimisë Kulturore të MKRS-ë, kjo shtëpi në vitin 1957 u nacionalizua, deri atëherë shtëpia evidentohej si pronë e Asim Leniqit. Ndërtesa gjatë kohëve u shfrytëzua edhe si Byro e punës (1950-1957) e Ambulanca e qytetit (1947-1950).  Nga viti 1957, shfrytëzohet për banim.