Foto: KKTK

Rinisin gërmimet në Parkun Arkeologjik të Ulpianës

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka rinisur gërmimet arkeologjike në Ulpianën antike, gati një vit pas mbylljes së llogarisë bankare të këtij instituti nga ana e MKRS.

Mbyllja e llogarisë bankare që nga ajo kohë ka krijuar në vazhdimësi probleme për IAK, duke detyruar këtë institut të mos nisë gërmimet për këtë vit deri në muajin që shkoi.

Vonesat në ekzekutimin e pagesave apo shlyerja e obligimeve financiare ndaj palëve nga ana këtij instituti, duke pasur parasysh specifikat që karakterizojnë punë dhe angazhimin e punëtorëve fizik gjatë gërmimeve arkeologjike, ka krijuar një situatë të re, që nga shtatori i 2018.

Gërmimet arkeologjike në lokalitetin antik të Ulpianë janë duke u kryer nga 8 korriku i këtij viti dhe po kryhen në kuadër të projektit “Ulpiana 2019”, projekt që zhvillohet në vazhdën e punimeve disa vjeçare që si synim ka promovimin e parkut të vetëm arkeologjik në vend.

Zyrtarë të këtij instituti kanë thënë për KALLXO.com se fillimit të punimeve i ka paraprirë përgatitjeve që janë bërë si punë kabinetike, projektim dhe pastrim paraprak i tërë hapësirës së dizajnuar prej mbi 3 hektarë që tashmë janë në shfrytëzim nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Stagnimi për shkaqe financiare

Drejtori i IAK-së, Enver Rexha ka konfirmuar për KALLXO.com se gërmimet kanë filluar afërsisht një muaj pavarësisht se kërkesa e tij ka qenë që gërmimet të nisin shumë herët.

“Shtyrja e gërmimeve në Ulpianë ka ndodhur për shkak të proceseve problematikë financiar që po zhvillohen nga MKRS dhe institucionet, me vonesa në shlyerjen e obligimeve financiare, sidomos ndaj punëtorëve që angazhon për nevoja gjatë gërmimeve”, ka thënë Rexha.

Rexha ka thënë se vonesat sa i përket pagesave, që nga shtatori i këtij viti po i sjellin mjaft probleme IAK-ut, duke vështirësuar angazhimin e punëtorëve dhe po e humbin besimin tek firmat furnizuese për shkak të pagesave me shumë vonesë.

Kjo situatë, sipas tij, duhet të ndryshohet dhe MKRS duhet të zgjidh çështjen e financimit, sidomos rregulloret për pagesat e punëtoreve fizik-teknik të terrenit.

“Por, ajo që duhet të them pavarësisht këtyre problemeve është se ne nuk do të ndalemi. Personalisht, do të jem i gatshëm të punoj edhe vet atë punë që e kryejnë punëtorët fizik, qoftë edhe në furnizim, për të shtyrë funksionimin e IAK, duke i shërbyer edhe si shërbëtor”, ka thënë Rexha.

 

Ulpiana

Natyra e gërmimeve

Milot Berisha, arkeolog dhe udhëheqës i gërmimeve në Ulpianë ka pohuar se  punimet parapërgatitore rregulluese kanë filluar në fund të muajit qershor dhe në javën e parë të korrikut.

Kurse hulumtimet-gërmimet arkeologjike kanë rifilluar me datë 8 korrik së bashku dhe në partneritet (paraparë dhe me Memorandumin e Bashkëpunimit) me ekipin e arkeologëve dhe stafit ndërdisciplinar (arkeobotanist, kimist, etj.) nga Franca (ENS-AOROC) në bashkëudhëheqje me Prof. Dr. Christophe J. Goddard.

“Gërmimet e përbashkëta që zhvillohen gjatë muajit Korrik dhe gjatë pjesës së parë të muajit Gusht, janë në vazhdën e hulumtimeve të evidentimit të thukët të dëmtimeve e shkatërrimeve të periudhës kohore nga shekulli i IV e deri në Shekullin e VI, si tek kulla jugperëndimore e fortifikatës së Bazilikës Paleokristiane në Sektorin 2 të Parkut, ku po evidentohen fazat e rindërtimeve, dhe po merren mostra të shumta e që do të dërgohen për analiza laboratorike në Francë.  Po ashtu këtu po punohet edhe në zbulimin e traktit të Cardo Maximus dhe Cloaca Maxima që vazhdon në drejtim të jugut”, ka thënë Berisha për Kallxo.com.

Po këtu, sipas tij, përveç se po dokumentohen sistematikisht njësitë stratigrafike dhe shtresëzimet kulturore, po bëhet edhe një dokumentim sistematik fotogrametrik i tërësishëm i gjetjeve, strukturave dhe karakteristikave arkeologjike.

Berisha ka thënë se gjatë pjesës së dytë të muajit gusht dhe shtator, pas largimit të ekipit Francez nga Kosova, stafi vendor do të vazhdoj gërmimet dhe konsolidimin e strukturave si tek pjesa e suburbiumit (industrial) verior të qytetit antik, tek kompleksi i furrës dhe punishteve, por edhe do të ketë ndërhyrje konsoliduese në të tre sektorët e parkut.

Ndërsa ka kujtuar edhe mbajt kampi veror nga data 11 deri 19 korrik në Ulpianë në kuadër të edicionit të 19-të të Universitetit Veror të Prishtinës.

Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës është mirëmbajtur në vazhdimësi dhe në bazë të nevojave si: pastrimi, ujitja, kositja, hiqet vegjetacioni i egër si dhe prezencë njerëzorë – Roje dhe kujdestar (dezhur)  24h orë gjatë shtatë ditëve të javës.

Sipas zyrtarëve të IAK-së gjatë vitit 2018, Parkun Arkeologjik Ulpiana e kanë vizituar rreth 33.248 vizitorë vendor dhe të huaj dhe ka rritje të numrit të vizitorëve edhe gjatë vitit 2019.

Në gushtin e vitit të kaluar MKRS kishte mbyllur të gjitha llogaritë bankare të institucioneve vartës të saj, pas vërejtjeve të auditorit se këto llogari nuk ishin të jashtëligjshme dhe të pa miratuar nga thesari.

Që nga ajo periudhë të gjitha obligimet financiare që kanë institucionet kulturore kombëtare kryhen përmes Ministrisë së Financave, konkretisht thesarit.

MKRS pati premtuar se do të zgjidh këtë situatë, por deri më sot nuk është përgjigjur kur është pyetur për këtë çështje.

KALLXO.com javë më parë ka publikuar një guidë lidhur me Parkun Arkeologjik ‘Ulpiana’.

 

Parku Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar antik brenda Kosovës