Zona e vjeter e qytetit, Prishtine

Prishtina planifikon të rikthejë identitetin e zonës së vjetër duke e lidhur me qendrën e shtruar rrugët me kalldrëm

Komuna e Prishtinës ka në plan që zonën e vjetër të qytetit ta shtrojë me kalldrëm për t’i kthyer identitetin e humbur arkitektonik.

Këtë muaj, komuna ka nënshkruar kontratë për shtrimin e dy rrugëve më kalldrëm në zonën e vjetër të qytetit, më saktësisht rrugët “Ibrahim Lutfiu” dhe “Taip Krasniqi”.

Sipas komunës, punimet në këtë projekt pritet të nisin në pranverë të vitit 2022, derisa shtrimi me kubëza i këtyre rrugëve do shkojë deri në 500 mijë euro.

Projekti i komunës po ashtu parasheh që nga sheshi ‘Adem Jashari’ e deri tek rruga ‘Ibrahim Lutfiu’, rruga të jetë e shtruar në kalldrëm.

Projekti për zonën e vjetër të Prishtinës

Paralelisht me projektin për shtrim me kalldrëm është edhe ndërtimi i tunelit nëntokësor në rrugën ‘Agim Ramadani’ që do lidh zonën e vjetër të qytetit me qendrën.

Për këtë tunel i cili do jetë i gjatë 300 metra, komuna ka ndarë 2,8 milionë euro, derisa procedurat e prokurimit nuk kanë përfunduar ende.

I gjithë plani për zonën e vjetër do rritet edhe me shumë me këtë tunel, pasi pjesa sipër tij do shtrohet me kubëza.

Lidhja e qytetit të vjetër me qendrën parasheh që pjesa e rrugës tek ‘Xhamia e Qarshisë’ të jetë e mbyllur për makina, pasi të bëhet tuneli nëntokësor.

Punimet për këtë tunel janë zgjatur më shumë se që kishte paraparë komuna pasi në atë zonë është dashur të kryhen disa studime fizibiliteti nëse objektet në zonën e vjetër janë mjaftueshëm të qëndrueshme për punime të tilla.

Edhe kryetari Përparim Rama ka shprehur gatishmëri që ta shtyjë përpara projektin për revitalizimin e zonë së vjetër të qytetit.

Në rrugën “Ibrahim Lutifu” gjenden kryesisht zbulimet arkeologjike të qytetit dhe monumente të rëndësishme religjioze e kulturore.

Arsyeja për këtë ndërhyrje sipas komunës është se edhe fakti që turistët zakonisht kërkojnë që të vizitojnë zonën e vjetër e qytetit.

Projekti për zonën e vjetër të qytetit

Deri në vitet ’60-ta zona e vjetër ishte pjesa kryesore e Prishtinës, derisa zhvillimi i hovshëm infrastrukturor në qendrën e sotme ndodhi kryesisht në vitet ’70-ta.

Përpos këtyre ndërhyrjeve, komuna më herët gjatë këtij viti kishte miratuar edhe planin për ri funksionalizimin e ‘Sahat Kullës’.

Ky projekt është hartuar nga disa studente të Fakultetit të Arkitekturës dhe është financuar nga UNDP.

Në zonën e vjetër komuna nuk ka pasur përvoja të mira sa i përket restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.

‘Xhamia e Qarshisë’ e cila konsiderohet si më të vjetrat në qytet, ka më shumë se një dekadë që i është nënshtruar një procesi të restaurimit dhe deri tani nuk ka ndonjë progres.

Përvojë negative e ngjashme ka përcjellë edhe restaurimin e ‘Hamamit të qytetit’, sipas zyrtareve komunal, kompania që kreu punë kishte bërë shumë dëm gjatë restaurimit pasi i kishte humbur identitetin objektit,  intervenimet nuk i ishin përmbajtur projektit të cilin e kishin punuar disa ekspertë nga Turqia.

Nga komuna kanë konsideruar se për një ndërhyrje të tillë në Kosovë ka mungesë të personave që e kuptojnë arkitekturën që është e karakterit turk, si në rastin e hamamit të qytetit.

Derisa, edhe restaurimi i ndërtesës së Muzeut Etnologjik, projekt ky që ishte përcjellë me dëme e shkëputje të kontratës.

Shkëputja ‘paqësore’ e kontratës, rriti mbi 22 mijë euro koston e renovimit të ‘Emin Gjikut’