Pamje nga prezantimi i instalacionit, 'Misioni: Ekzekutoni'. Foto: CHwB

Përurohet instalacioni për masakrën në Fortesë të Rahovecit

Është prezantuar sot në Fortesë (Bellacërkë) të Rahovecit, instalacioni, “Misioni: Ekzekutoni”, i ideuar dhe punuar nga artisti Gazmend Ejupi.

Për realizimin e kësaj vepre artistike, Ejupi është frymëzuar nga masakra ndaj popullsisë civile që ndodhi më 25 mars 1999 në Fortesë.

Memoriali “Misioni: Ekzekutoni” është një instalacion me tri kuti hekuri në formë trekëndëshi të mbuluara me xham, të cilat mbajnë brenda shishe xhami, që ndriçohen gjatë natës.

Autorit ri i kësaj vepre, Gazmend Ejupi, ka thënë për KALLXO.com se punës për realizimin e këtij memorial përkujtimor ia nisi qysh pas luftës, pasi nga një banor i fshatit dëgjoi historinë se si ishin varrosur të vrarë nga ajo masakër.

“Një banor i fshatit na rrëfeu se të vrarët i kishin varrosur me nga një shishe xhami për t’ ua ruajtur identitetin. Aty fillova të mendoj për këtë rast, fillova më skicimin, hulumtimin e lokacionit, diçka më efikase, thjesht, përmes artit modern”, ka thënë Ejupi.

Realizimi i këtij instalacioni është mbështetur nga Platforma Heritage Space, projekt që zbatohet nga CHwB Kosova.

Ky punim është mentoruar nga Nora Visoka-Weller, studiuese e trashëgimisë atrocitare dhe eksperte në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, me bazë në Universitetin e Cambridge-it.

Platforma Heritage Space ka për qëllim të ofrojë hapësirë për artistë, krijues dhe profesionistë të tjerë nga skena e kulturës dhe artit që ta ruajnë trashëgiminë kulturore përmes hulumtimit, dokumentimit dhe interpretimit.

Pamje nga prezantimi i instalacionit, ‘Misioni: Ekzekutoni’. Foto: CHwB