Pa bujë dhe me kufizime të shumta po mbahet ‘Flaka e Janarit 2021’ në Gjilan

Me ndezjen e Flakadanëve te Varrezat e Dëshmorëve dhe në platonë e Teatrit të Qytetit në Gjilan është bërë të hënën që shkoi hapja solemne e manifestimit tradicional, “Flaka e Janarit 2021”.

Edicioni i 30-të jubilar, këtij manifestimi, organizohet në kushte të kufizimeve të shumta për shkak të pandemisë së Coronavirusit.

Zyrtarë të Komunës së Gjilanit kanë thënë për Kallxo.com se duke iu përshtatur masave anti COVID-19, kanë planifikuar organizmin e një sërë aktiviteteve kulturore- artistike për shënimin e edicionit të sivjetëm të “Flakës së Janarit”.

Organizatorët planifikojë edhe mundësinë që aktivitetet e sivjetme të këtij manifestimi mbarëkombëtar të përcillen edhe virtualisht.

“Fatkeqësisht jemi në një situatë jo të mirë, mirëpo me një kujdes të shtuar dhe një masë të lejuar me përqindje 30 % të hapësirës na lejohet të mbahen aktivitetet dhe gjithashtu është menduar që gjithçka të përcillet përmes formës virtuale”, ka thënë Deniza Limani, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan.

Përveç homazheve dhe aktiviteteve kushtuar dëshmorëve, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, gjatë këtij edicioni të Flakës, janë planifikuar të mbahen edhe aktivitete letrare, teatrore e ekspozita të ndryshme.

Aktivitetet e radhës; Akademia e Flakës dhe ekspozita kolektive, Panel i Flakës, sipas programit do të mbahen më 17 janar 2021.

Këtë vit ky manifestim mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Gjilanit.

“Një pjesë të manifestimit apo fazën e I-rë, e ka mbështetur Ministria e Kulturës, ku tanimë edhe ky manifestim është pjesë e trashëgimisë shpirtërore dhe pjesën e dytë apo fazën e II-të do ta mbështet Komuna e Gjilanit, respektivisht Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport”, ka thënë drejtoresha Limani.

Nga ky vit, aktiviteti mbarëkombëtar “Flaka e Janarit” është trashëgimi e mbrojtur me ligji, dhe pjesë e Listës së përkohshme të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.