Festivali ‘Lahuta, okarina, polifonia’. Foto: Facebook/Shkabat

Mbyllet edicioni i dytë i festivalit "Lahuta, okarina, polifonia" 

Festivali “Lahuta, okarina, polifonia” ka mbyllur sot edicionin e tij të dytë me diskutime rreth eposit dhe interpretim të lahutarëve shqiptarë. 

Festivali është mbajtur në ambientet e Qendrës për zhvillimin e kulturës tradicionale “Shkabat” në Prishtinë.  

Për shkak të pandemisë numri i publikut që ndoqi performancën e lahutarëve dhe debatet ishte i kufizuar, por, pati edhe prezantim online të aktiviteteve që u mbajtën në kuadër të këtij festivali. 

Gjatë tri ditëve sa zgjati ky festival u zhvilluan disa aktivitete të cilat në fokus kishin instrumentet dhe eposin e vjetër shqiptar. 

Në ditën e tretë dhe të fundit të këtij festivali u mbajt edhe kongresi i Pparë i Shoqatës së Lahutarëve Shqiptarë të Ballkanit.  

Sokol Plakolli, organizator i këtij festivali, ka potencuar se këtë vit, për shkak të pandemisë festivali ka zgjatur tri ditë dhe është mbajtur duke respektuar masat mbrojtëse për parandalimin e pandemisë.  

“Sivjet ishte festival i pandemisë. Nga 7 ditë u reduktua në tri ditë dhe lahutarët nga jashtë Kosovës u prezantuan online. E rëndësishme është që vazhdoi kontinuiteti. Ky festival është i një rëndësie të veçantë sepse bashkojnë lahutarët nga të gjitha trojet etnike në kryeqendër të Kosovës”, ka thënë Plakolli. 

Edicioni i dytë i festivalit “Lahuta, okarina, polifonia” u mbajt tri ditë, më 25, 26, 27 shtator 2020, dhe është organizuar nga Qendra për zhvillimin e kulturës tradicionale “Shkabat”,  Prishtinë. 

Festivali ‘Lahuta, okarina, polifonia’. Foto: Facebook/Shkabat