Foto: KALLXO.com

Komuna e Prishtinës hesht për ndërtimin e Memorialit të Demonstratave të vitit 1981

Në mars të këtij viti, u shënua 40 vjetori i Demonstratave të 1981-ës. U mbajtën shumë aktivitete, ndërsa nga organizatorët e aktiviteteve për shënimin e atyre ngjarjeve dhe institucionet, u premtua ndërtimi i një Memoriali për përkujtimin e atyre demonstratave.

Madje u zhvilluar edhe ceremonia e gurthemelit për ndërtimin e Memorialit në hapësirën e gjelbëruar para Mensës së Studentëve në Prishtinë. Por, gjithçka ka mbetur aty. Që nga atëherë askush nuk është dukur më te gurthemeli.

Një gropë dhe një rrjetë armature e ndryshkur e vendosur nga dita e inaugurimit, është gjithçka që ka mbetur nga marsi i këtij viti.

Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politik të Kosovës dhe kryetar i Këshillit Organizativ për shënimin e 40 vjetorit të Demonstratave të ’81-ës, ka thënë për KALLXO.com se çështjen e ngritjes së një Memoriali përkujtimor, ia kanë lënë në dorë Komunës së Prishtinës.

Hyseni thotë se ka pasur dakordim nga kryetari Shpend Ahmeti, por edhe sektorë tjerë që Komuna të marr përsipër ndërtimin e Memorialit.

“Në kemi kërkuar që të memorializohen ngjarja e marsit (1981) në konviktin e studentëve dhe këtë ua kemi lënë në dorë institucioneve, kryesisht Komunës së Prishtinës meqë kishte një dakordim nga kryetari dhe sektorët tjerë, dhe kemi pritur që deri në fund të këtij viti jubilar të ketë ndonjë lëvizje, por nuk ka pasur. Shpresojmë që kjo të bëhet me strukturat e reja të Komunës”, ka thënë Hyseni.

Xhevat Bislimi, sekretar i Këshillit Organizativ për shënimin e 40 vjetorit të Demonstratave të ’81, ka pohuar për KALLXO.com se krejt ajo çfarë ka bërë Komuna e Prishtinës, është leja për ndërtimin e Memorialit.

“Me 11 mars ne e kemi vënë gurthemelin dhe lejen e kemi marrë prej Komunës, më pas Komuna nuk është përgjigjur, sepse ata patën thanë se e marrin përsipër ndërtimin e bazamentit, pjesën e vrazhdë dhe pastaj edhe më pas edhe konkursin për monumentin. Mirëpo nuk na eci puna dhe presim që këtë ta bëjmë me udhëheqjen e re të Komunës”, ka thënë Bislimi.

Komuna e Prishtinës nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me pretendimet e organizatorëve të manifestimeve për shënimin e 40 vjetorit të Demonstratave të 1981, deri në momentin e publikimit të artikullit. Pavarësisht se gjatë vënies së gurthemelit, kreu i Komunës së Prishtinës pati thënë se Prishtina duhet të ketë një Memorial për kujtimin e atyre ngjarjeve.

“Është me rendësi që në Prishtinë të ketë një Memorial që i përkujton ato ngjarje. Demonstratat e ’81 janë baza e shtetit të Kosovës, te kjo revoltë e studentëve dhe kërkesat e tyre”, pati thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Pamje nga vendi ku planifikohet ndërtimi i Memorialit të Demonstratave të 1981. Foto: KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shënohet 40 vjetori i Demonstratave të viti 1981