Mbledhja e KASHTIKRS. Foto: Kallxo.com

Kërkohet llogaridhënie nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar llogaridhënie nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Gjatë një takimi që ka pasur sot ky këshill pa praninë anëtarëve të opozitës (PDK-së dhe LDK-së), ka ngritur edhe çështjen e raportimit të punës së ASHAK-u.

Jahja Koka nga LVV ka potencuar faktin se nuk ka raportime nga ASHAK-u për punën e tij.

“Duhet të rishikojmë mundësinë e një nisme ligjore për amendamentim të Ligjit për Akademia që ata të raportojnë para deputetëve për mënyrë e shpenzimit të parasë publike”, ka thënë Koka.

Gjatë këtij takimi anëtarët e këtij komisioni kanë miratuar planin e punës për 2021, ku kanë planifikuar edhe takime me drejtues të institucioneve të larta arsimore dhe kulturore në vend.

Komisioni ra dakord për organizimin e një tryeze për të diskutuar dhunën në shkolla dhe problemeve në arsim, si  dhe takim me organizata ndërkombëtare që kanë ndihmuar në çështje të arsimit dhe kulturës.

Në fund, Komisioni nuk rekomandoi miratimin e raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore, (KKTK).

Ndërsa, shqyrtimi i dokumentacionit të kandidatëve që kanë konkurruar për anëtarë të KKTK-së, për shkak të mungesës së anëtarëve të opozitës u shty për mbledhjen e ardhshme.

 

 

 

 

Mbledhja e KASHTIKS. Foto: Kallxo.com