Pamje nga provat për shfaqjen ‘Totem dhe Tabu’. Foto: Robert Nuha

‘Totem dhe Tabu’, mesazhi që jepet përmes kombinimit të trupit dhe gjuhës

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis” do të shfaqe më 18 maj 2021 premierën e shfaqjes, “Totem dhe Tabu”.

Premiera e kësaj shfaqje do të mbahet në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja “Totem dhe Tabu”, e zhanrit Dance-Teatër me koreografi të Robert Nuhës dhe dramatizim të Zana Hoxhës, do të interpretohet nga trupa artistike e ‘Artpolis”.

Rober Nuha, koreografi i shfaqjes, ka thënë në një bisedë për KALLXO.com se nëpërmjet kësaj shfaqjeje që kombinon gjuhën e trupit dhe të folurës, që plotësojnë njëra-tjetrën, tentohet t’i jepet më shumë hapësirë imagjinatës së audiencës për të parë e perceptuar diçka më ndryshe në skenën teatrore të Kosovës.

“Shfaqja ngreh pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, traumat, ndikimin e teknologjisë dhe COVID-19, hipokrizinë por pa ardhur në konkludime, me synimin që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe gjuhë abstrakte të konkretizuar herë-herë me fjalë, si element tjetër i rëndësishëm. Shfaqja është e veçantë, duke filluar nga qasja bashkëkohore, formati, struktura, tematikat që trajtohen, metodat dhe teknikat vallëzuese të cilat aktorët i kanë përvetësuar duke arritur kualitetet e duhura fizike për të përballuar ngarkesat emocionale e trupore që shfaqja kërkon”, ka thënë Nuha.

Sipas tij, “Totem dhe Tabu” shfaqja në vetvete mbartë një numër të konsiderueshëm të veçorive artistike, duke filluar që nga stili i saj, loja e aktorëve, gjuha e vallëzimit e pantomimës, linja dramatrugjike, temat, situatat, zgjidhjet skenike e energjia që përçon kjo trupë e re shumë premtuese për skenën teatrore në Kosovë.

Mund të them, shton koreografi Nuha, që shfaqja është shumë-dimensionale, me aktorë shumë të talentuar të cilët po ashtu janë profesionist multifunksional, aktorë, valltar, të cilët gjithashtu ofrojnë kualitete të veçanta vokali.

Ai thotë se “Totem dhe Tabu” përbëhet nga shumë ngjyrime skenike, me gjithçka të përfshirë në formën dhe mënyrën më organike të mundshme, gjithçka duke plotësuar dhe fuqizuar njëra-tjetrën dhe duke arritur në rezultatin e një shfaqje tipike dance – teater.

“Sigurisht këto nuk do të ishin të mundshme pa punën e jashtëzakonshme me linjën dramaturgjike të shfaqjes për të cilën u përkujdes Zana Hoxha, e gjithashtu punën me muzikën e shfaqjes dhe mjeshtërinë vokale të aktorëve nga Alzan Gashi, gjithashtu kostumografinë për të cilën u përkujdes Yllka Brada”, është shprehur koreografi i shfaqjes, Rober Nuha.

Në shfaqje interpreton trupa rezidente e aktorëve të “Artpolis”: Edlir Gashi, Qendresa Kajtazi, Donikë Ahmeti, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Blerta Gubetini dhe Zhaneta Xhemajli.

Nuha potencon se përveç premierës, shfaqja “Totem dhe Tabu” do të ketë repriza e parë më 24 maj dhe do të bëjë rrugëtimin e saj duke u prezantuar edhe në teatrot e qyteteve të Kosovës e sigurisht edhe në festivale e teatro jashtë vendit!

Pamje nga provat për shfaqjen ‘Totem dhe Tabu’. Foto: Robert Nuha
Pamje nga provat për shfaqjen ‘Totem dhe Tabu’. Foto: Robert Nuha
Pamje nga provat për shfaqjen ‘Totem dhe Tabu’. Foto: Robert Nuha