Tirana merr përsipër dërgimin e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO

Studiuesi i këngëve kreshnike, Zymer Neziri ka përshëndetur nismën e Ministrisë së Kulturës, konkretisht të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Tiranë, për të propozuar për në UNESCO këndimin e këngëve kreshnike me lahutë.

Në një prononcim për Kallxo.com, Neziri ka thënë se Eposi i Kreshnikëve, apo siç njihet ndryshme edhe “Dosja e Kreshnikëve” është përfunduar në 2013-ën dhe është e gatshme për propozim për në UNESCO.

Në fillim të këtij muaji ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti njoftoi përmes Facebookut se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka miratuar katër dukuri të denja për t’u kandiduar si kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Dhe behët fjalë për: “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”,  “Kcimi i Logut””,  -“Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”. Tashmë po punohet për plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapim afatet e kandidatit”, pati shkruar ministrja Margariti.

Puna për përgatitjen e dosjes së Eposit të Kreshnikëve për t`u futur në UNESCO kishte nisur në 2009 nga një komision i kryesuar nga studiuesi Neziri, pjesë e të cilit ishin edhe Shaban Sinani dhe Vasil Tole nga Tirana, në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ky komision, në fillim, ishte ndërinstitucional, Tiranë-Prishtinë, por pastaj u shpall komision qeveritar i Qeverisë së Kosovës.

Studiuesi Zymer Neziri ka thënë për Kallxo.com se Dosja për Eposin e Kreshnikëve është e përfunduar më 2013 dhe është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës. Ai ka thënë se gjatë gjithë procesit dhe pas përfundimit të punës për dosjen e kreshnikëve ka pasur kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Tiranës.

Foto: Facebook

“Dosja për Eposin e Kreshnikëve është e përfu­nduar më 2013 dhe është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ka qëndruar në Prish­tinë deri më 2019. Pra, Tirana e ka marrë zyrtarisht në vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Studiuesi Neziri ka thënë se dosja e kreshnikëve pothuajse është gati dhe duhet edhe pak punë që të bëhet gati për propozim.

“Duhet të krahasohen pyetjet e Listës ICH-02 2020 dhe ndryshimet me pyetjet në Listën ICH-02 2012, për plotësime. Ky rishi­kim nuk merr kohë shumë. Natyrisht, duhet pasur parasysh rrjedhat e këtij  dhjetëvjeçari në UNESCO, deri te seanca e tashme e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, e mbajtur në Kinë, në Funzhou, qershor – korrik 2020”, ka thënë studiuesi i kreshnikëve për Kallxo.com.

Të tjerat, sipas tij janë në Dosje. “Arsyetimi i propozimit. Vlerat artistike të Eposit. Rëndësia e tij kombëtare, rajonale e botërore. Tezat. Bibliografia. Lista e 100 lahutarëve shqiptarë të Ballkanit dhe të dhënat themelore për secilin. Lista e 30 lahutapunuesve të Ballkanit dhe të dhënat themelore për secilin. Filmi dokumentar për këngët e kreshnikëve, të kënduara me lahutë në Ballkan. Fotografi të 30 bartësve kryesorë të Eposit sot në Ballkan”, është shprehur Neziri.

Po ashtu sipas studiuesi Neziri brenda dosjes janë edhe referimi  për gjendjen e sotme të Eposit në Ballkan, sipas projektit kërkomor – shkencor të realizuar në vitet 2012-2016 në pesë shtete të Ballkanit, sikurse edhe dhe rezultatet e Projektit E5, ku përfshihen 15 vëllime me mbi 100 mijë vargje të gjetura në teren, ana shkrimore në CD dhe ana pamore në DVD, me mbi 5 mijë minuta inçizim me kamerë.

Eposi i Kreshnikëve që nga 2015 është pjesë e Listës së Trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme. Ndërsa, këtë viti MKRS ende nuk e ka publikuar Listën e Trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme.

Në viti 2016, “Eposi i Kreshnikëve” fitoi çmimin vjetor të “Europa Nostra”.

Autoritetet në Tiranë në bashkërendim me studiuesit e fushave përkatëse janë duke bërë përgatitje e nevojshme që deri në mars të 2021, Eposi i Kreshnikëve, por edhe “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj” dhe “Kcimi i Logut” të dorëzohen në UNESCO për regjistrim si pasuri botërore.

Foto: Facebook