Tirana e largoi e Prishtina i bëri vend, mbi 400 vizitorë panë ekspozitën ‘Onufri Remade’

Mbi 400 vizitorë kanë vizituar ekspozitën “Onufri Remade”, e hapur tri javë më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës (GKK), nga e cila Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë (GKA) hoqi dorë më shumë se një vit më parë.

Ekspozita “Onufri Remade” e organizuar nga një grup krijuesish nga Shqipëria, kuruar nga Ardian Isufi dhe Elton Koritari ishte hapur më 12 shkurt 2020 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ndërsa u mbyll javën që shkoi.

Drejtues të GKK-së kanë thënë për KALLXO.com se vetëm për dy javë ekspozita “Onufri Remade” është vizituar nga 4,444 vizitorë.

Në këtë ekspozitë u prezantuan 25 artistë bashkëkohorë shqiptarë dhe të huaj me punime të punuara enkas për ekspozitë ”Onufri Remade”, përfshishrë të gjitha gjinitë e artit pamorë, tematikat e të cilave prekin realitetin e sotëm.

Në dhjetor të 2018, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë vendos ta shuajë ekspozitën “Onufri”.  Ky vendim nuk është mirëpritur nga komuniteti artistik në Shqipëri.

Mandej një pjesë e tyre vendosen që të vazhdojnë organizimin e ekspozitës. Por, tash një ekspozitë krejt tjetër, por që ka edhe diçka të Çmimit “Onufri”.

Pak muaj pas mbylljes së “Onufrit”, Elton  Korirtari dhe Ardian Isufi, dy prej iniciuesve për vazhdimin e traditës së “Onufrit”, të cilëve më pas iu bashkuan edhe shumë artistë, rikonceptuan një model të ri të ekspozitës, nga ku doli “Onufri Remade”.

Ata aplikuan në thirrjen e GKK-së për repertorin e 2019 dhe fituan. Megjithëse ekspozita u hap në shkurt të 2020 në GKK-në.

Elton Koritari njëri nga iniciatorët për themelimin e “Onufri Remader”, dhe bashkëkurator i ekspozitës në Prishtinë, ka potencuar për KALLXO.com, se “Onufri Remade” është jo vetëm një “Onufër” i radhës, por është një tentativë për të krijuar një klimë tjetër dhe sidomos për të realizuar një hapësirë alternative për artin bashkëkohor në Shqipëri.

“Pra ‘Onufri Remade’ ka shumë nga Çmimi ‘Onufri’, por ndërkohë është diçka krejtësisht tjetër. Zyrtarisht projekti është i ‘EJAlbum’, sepse ‘EJAlbum’ tashme është specializuar ndër vite pikërisht për të realizuar evenimente të tilla arti te kësaj madhësie”, ka thënë ai.

Ndërsa ka thënë se GKA-ja në Tiranë bëri gabim kur vendosi për shuarjen e një aktiviteti me traditë, siç ishte Çmimi “Onufri”.

Ideja për themelimin e një ekspozite në traditën e “Onufrit” të dikurshëm, doli të jetë e qëlluar.

Drejtoresha e GKK-së, Arta Bunjaku – Agani ka thënë për Kallo.com se ekspozita tërhoqi vëmendjen e publikut dhe ishte një rast i mirë për të parë vepra të artistëve nga Shqipëria.

“Për dy javë ekspozita është vizituar nga 444 vizitorë. Pavarësisht lidhjes mes dy vendeve, shkëmbimi në fushën e artit ka nevojë që të fuqizohet edhe më shumë”, ka thënë drejtoresha Bunjaku-Agani .

Ekspozita Ndërkombëtare, Çmimi ‘Onufti” është mbyllur më 24 dhjetor të 2018 nga ‘pronarja’ e saj, GKA-ja në Tiranë.

Zyrtarë të Galeria Kombëtare të Artit në Tiranë të pyetur nga KALLXO.com rreth arsyes së mbylljes së “Onufrit” kanë referuar komunikatën për shtypi të lëshuar më 24 dhjetor të  2018.

Sipas kësaj komunikate, mbyllja e “Onufrit” erdhi si rezultat i nevojës për rikonceptimin e ndërveprimit mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare, dhe vlerësimin se “Onufri” tashmë e ka përmbushur misionin e tij.

“Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore ‘Onufri’, aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e ‘Onufrit’ dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik”, thuhet në njoftimin e për media të 24 dhjetorit të 2018.

Si arsye për mbyllje, komunikata përmend edhe defekte në organizmin “Onufrit”,  nivelin e organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët, qasje të padrejtë ndaj artistëve shqiptare, etj.

Për herë të parë Ekspozita “Onufri” është realizuar në vitin 1993 si një “Ekspozitë Kombëtare e Arteve Figurative (konkurs)”, ndërkohë që në vitin 1998 “Onufri” pati një rikonceptim strukturor përsa i përket mënyrës së organizimit të tij, duke e kthyer nga një konkurs kombëtar në një konkurs ndërkombëtar.

Ekspozita është mbyllur në dhjetor të 2018 dhe nga 1993 deri 2017 në Galerinë Kombëtare të Arteve janë mbajtur 24 edicione të “Onufrit”.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!