Komuna e Prishtines

Thirrja ‘#rriNshpi me neve’, 109 projekte presin mbështetje nga Komuna e Prishtinës

Gjithsej, 109 projekte nga kultura, sporti, inovacioni e edukimi kanë aplikuar në thirrjen e Komunës së Prishtinës “#rriNshpi me neve”.

Ndërsa, gjatë kësaj jave pritet të publikohet lista e projekteve fituese.

Të premten e shkuar është mbyllur afati për konkurrimin në thirrjen e Komunës së Prishtinës për mbështetje të aktiviteteve kulturore, sportive, inovative e edukuese gjatë kohë së pandemisë.

Blerta Basholli, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka konfirmuar për KALLXO.com se janë 109 projekte që kanë konkurruar në konkursin “#rriNshpi me neve”, ndërsa përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga komisioni me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës.

“Thirrja ka qenë vetëm për individë dhe do të përkrahen vetëm individët. Projektet do të realizohen/xhirohen nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me partnerë, realizimi do të fillojë menjëherë pas publikimit të listës zyrtare të fituesve, e cila do të publikohet brenda kësaj jave. Afati për përfundim  e projekteve është 30 maj 2020”, ka thënë drejtoresha Basholli.

Vlera e përgjithshme e planifikuar për këtë thirrje është 30.000 euro. Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 100 euro, ndërsa maksimale 1,000 euro.

Thirrja publike “#rriNshpi me neve”, vlente për të gjithë individët, programi i punës i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës, sportit, inovacionit dhe edukimit.

Konkursi për mbështetje, “#rriNshpi me neve”  është  konceptuar si ide që ka për qëllim realizimin e aktiviteteve kulturore, sportive, inovative dhe edukative, të cilat, sipas thirrjes së Komunës,  do të shfaqen në një nga emisionet televizive, platformat online dhe në rrjetet sociale të Komunës së Prishtinës gjatë periudhës së pandemisë.

Aktivitetet e këtij konkursi financohen dhe xhirohen nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me partnerët dhe me përfituesit eventualë.