Foto nga faqja në Facebook e Kryeministrit të Shqipërisë

Thellohet bashkëpunimi institucional Kosovë -Shqipëri në kulturë dhe sport

Katër marrëveshje për bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Shqipërisë për fushën e sportit dhe të kulturës janë miratuar sot nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar përmes një njoftimi se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimet e ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, për Kalendarin e përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nënshkruhet nga dy ministret respektive të Kulturës.

“Qeveria ka miratuar gjithashtu edhe marrëveshjen e cila do të nënshkruhet për bashkëprodhime filmike mes Kosovës e Shqipërisë, e cila do të mundësojë bashkëpunimin mes Qendrës Kinematografike të Kosovës me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, që do të shërbejë në prodhimin e filmit dhe forcimin e mëtejmë të lidhjeve kulturore dhe etnologjike midis dy vendeve. Me këtë marrëveshje parashihet edhe ndarja e përbashkët e çmimeve për fushën e kinematografisë”, thuhet në njoftim.

Qeveria, sipas njoftimit të MKRS-së, ka miratuar edhe memorandumin e bashkëpunimit në fushën e librit dhe veprimtarisë botuese, si dhe për fushën e sportit, ku siç thuhet më tej në komunikatë Qeveria, miratoi propozimin e ministres Dumoshi për memorandumin Ligën Unike në Basketboll, e cila do të jetë një mbështetje institucionale për themelimin e një lige të përbashkët në basketboll

Pas mbledhjes së qeverisë ministrja Dumoshi, ka potencuar se miratimi i këtyre memorandumeve do të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit konkret të mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe sportit.

“Me vendimet të cilat ka miratuar Qeveria në mbledhjen e sotme, Kosovës dhe Shqipërisë i hapet rruga për shkëmbimin e përvojave në fushat e kinematografisë, të librit dhe aktiviteteve tjera kulturore që institucionet tek ne dhe në Shqipëri i planifikojnë për t’i zhvilluar me qëllim të kultivimit të vlerave të mirëfillta kombëtare dhe me këtë rast dua ta falënderojë Qeverinë Hoti për miratimin e këtyre nismave”, citohet të ketë thënë ministrja Dumoshi.