Tërmeti në Shqipëri, Ansambli ‘Shota’ pezullon aktivitetet për 28 Nëntorin

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka pezulluar aktivitetet kulturore të planifikuar për shënimin e Festës së Flamurit.

Pezullimi i këtyre aktiviteteve është bërë në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të lënduarit të cilët janë prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Shefqet Gjocaj, drejtor i AKKV “Shota” ka bërë të ditur se në shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit ne Shqipëri, Ansambli “Shota” i pezullon aktivitetet e parapara për nder të festave të Nëntorit.

“Me këtë nënkuptojmë anulimin e Koncertit premierë, të paraparë te mbahet nesër (27.11.2019) dhe pjesëmarrjen e paraparë ne aktivitetin qe ishte planifikuar te mbahet ne Drenas (28.11.2019), me rastin e përurimit te shtatoreve te Heronjve te Kombit Shaban, Adem dhe Hamëz Jashari! Bashkë ndjejmë thellësisht me vëllezërit dhe motrat tona qe humben jetën ne tërmetin shkatërrues ne Republikën e Shqipërisë dhe familjet e tyre, e njëherazi shprehim gatishmërinë tonë qe t’u dalim ne ndihmë familjeve ne nevojë, me të gjitha mundësitë tona!”, ka shkruar Gjocaj në Facebook.