Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi për vdekjen e Leze Qenës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka ngushëlluar familjen Qena, për vdekjen e aktores Leze Qena.

Përmes një telegram ngushëllimi, ministrja Dumoshi ka shprehur pikëllimin dhe me keqardhjen e saj për ndarjen nga jeta, siç ka thënë Dumoshi, të dashurës dhe haresë së të gjithëve, aktores Leze Qena.

Dumoshi ka thënë se vdekja e Lezes është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë e saj, por ikja e saj do të lërë një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës.

Fizikisht më Lezja nuk do të jetë mes nesh, por, ka pohuar më tej Dumoshi, do të jetë përherë në kujtimet tona me veprën e saj të pamohueshme e të pashlyeshme që ka lënë pas.

Sipas saj, rolet e panumërta dhe të papërsëritshme të saj do të mbesin gjurmë të gdhendura në botën e artit e të aktrimit.

“Me praninë e saj, ajo e ka pasuruar çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që ka zgjedhur t’i mishërojë në veten e saj. Me korpusin e roleve të saj, Lezja ka depërtuar në mesin e secilit prej nesh, duke na dhënë frymëzim, krenari e forcë për të vazhduar e tejkaluar çdo sfidë që kemi kaluar qoftë si individë por edhe si popull Leze Qena do të jetë një shembull dhe referencë në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, se si me përkushtim dhe me shpritmadhësi, veçori të cilat e kanë karakterizuar Lezen, njeriu bëhet i dashur nga të gjithë dhe i pranuar nga secili ”,  ka potencuar ministrja Dumoshi.