Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së Adem Mikullovcit

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin skenik në vend me rastin e ndarjes nga jeta të aktorit, Adem Mikullovci.

Përmes këtij telegrami, ministrja Dumoshi ka thënë se Adem Mikullovci mbetet një prej personaliteteve më të çmuara të kulturës kosovare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.

“Numri i roleve dhe veprave artistike e të papërsëritshme të bacës Adem do të mbesin xhevahire të çmuara dhe do të jenë gjurmë të skalitura e të pashlyera në botën e artit e të aktrimit. Me praninë e tij, ai e ka pasuruar dhe e ka bërë madhështore çdo vepër artistike dhe i ka dhënë peshë roleve që i ka marrë mbi supe t’u japë shpirt. Me korpusin e roleve të tij në teatër, film e televizion, baca Adem ka tejkaluar çdo barrierë dhe pa dyshim ai konsiderohet krenaria dhe një prej ikonave të artit shqiptar”, ka shkruar Dumoshi në telegramin e saj.

Po sipas Dumoshit, aktori Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg, i cili me angazhimin e tij ka qenë frymëzim për kolegët por edhe për popullin e Kosovës.

“Ndarja e bacës Adem nuk është humbje e rëndë dhe e dhimbshme vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por ikja e tij pa dyshim se lë zbrazëtirë të pazëvendësueshme për artin dhe kulturën e Kosovës. Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt veprën dhe kontributin e tij të çmuar e të paçim që ka dhënë për kulturën e Kosovës dhe atë mbarëshqiptare. Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Adem Mikullovcit”.”, thuhet në telegramin e ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së aktorit dhe ish-deputetit Adem Mikullovci.