IMAX në Cineplexx. Foto: KALLXO.com.

Teknologjia e avancuar e kinematografisë IMAX arrin në Kosovë

Cineplexx dhe Albi Mall ka prezantuar të martën, më 11.02.2025, gjatë një Konference për media sallën më të re të kinemasë me teknologji të avancuar të IMAX edhe në Kosovë.

Hapja e sallës së parë IMAX në Kosovë u mundësua pas një bashkëpunimi mes Cineplexx e Albi Mall në Prishtinë, me IMAX Corporation.

Salla ka 316 vende dhe ekranin më të madh – jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon. IMAX është një sistem kinematografik i avancuar, që ofron një përvojë audiovizuale shumë më të thelluar se kinematë tradicionale.

Betim Humolli nga Albi Mall tha gjatë kësaj Konference se IMAX është një teknologji e avancuar teknologjike, e cila sipas tij vjen me shumë risi, me ekrane të mëdha, qartësi dhe ngjyra më të theksuara

“Jemi shumë të lumtur që sot po e ndajmë një moment shumë të rëndësishëm me juve, pra ardhjen e IMAX në kuadër të Cineplexx në Albi Mall. Kjo është një teknologji tjetër. Një nivel tjetër për sa i përket kinematografisë. Jemi shumë të lumtur që këtë bashkëpunim po e sjellim me risi të reja. Pra, po e sjellim IMAX-in e parë, sallën e parë në rajon, në rajonin tonë se nuk ka as në Tiranë as në Shkup. Pra, është e para në këtë rajon.” – ka thënë Humolli. Sipas tij, investimet për sjelljen e IMAX në Kosovë, por edhe sallën tjetër – VIP apo lux kalojnë shifrën 5 milionë.

Ndërkaq, Lucas Langhammer nga Cineplexx tha gjatë Konferencës, se nuk ka më të mirë se teknologjia që ofron IMAX për të përjetuar magjinë e filmit.

“Nuk kam çfarë të them më shumë sesa ajo që ne sapo pamë dhe u mrekulluam vetë. Mirëpo, ju siguroj që është eksperiencë kinematografike, më e mira që mund të përjetosh ndonjëherë.” – tha Langhammer.

Julien Tranchant nga IMAX u shpreh se IMAX vjen nga një grup teknologjish që ofron një përvojë të mrekullueshme.

“E veçanta e IMAX është se IMAX jo vetëm që shfaq filma, por edhe prodhon filma – gjë që e bën të veçantë atë.” – tha Tranchant, duke shtuar se filmi që do të bëjë inaugurimin e sallës është realizuar nga IMAX.

Hapja e sallës së kinemasë me teknologjinë IMAX bëhet sot, më 12. 02.2025, me shfaqjen e filmit “Captain America: Brave New World”.

 

IMAX në Cineplexx / Foto: KALLXO.com.

 

IMAX në Cineplexx / Foto: KALLXO.com.

 

IMAX në Cineplexx / Foto: KALLXO.com.

 

IMAX në Cineplexx / Foto: KALLXO.com.