Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Teket e historianëve mbajnë peng shkrimin e historisë së Kosovës

Instituti i Historisë së Kosovës, “Ali Hadri” në Prishtinë kishte paraparë që tri vëllimet e para të projektit “Historia e Kosovës” të dilnin nga shtypi në vitin 2021. Ndërsa në 2022 të finalizohet ky projekt me botimin e vëllimit të fundit (të katërtit).

Por, rrethana pas përhapjes së pandemisë së COVID-19 dhe teket e historianëve bën që ky synim i IH “Ali Hadri” të mos realizohet. Mandej, nuk dihet se kur mund të pritet botimi i vëllimeve të para të këtij projekti.

Projekti për shkrimin e historisë së Kosovës ka nisur në 2016 nga IH-së, “Ali Hadri” dhe janë angazhuar mbi 70 studiues të fushave dhe periudhave të ndryshme të historisë.

Gjon Berisha, Këshilltar shkencor në IH “Ali Hadri” dhe koordinator i projekti “Historia e Kosovës” ka thënë në një bisedë për KALLXO.com se shpërthimi i pandemisë COVID-19 dhe masat e marra për parandalim e saj ndikuan në ecurinë e realizmit të projektit.

Ai thotë se për më shumë se vit nuk ishte punuar dhe nuk kishe pasur mundësi të mblidhej redaksia e projektit.

“Po për të njëjtën arsye kanë qenë ndërprerë dhe kërkimet, meqë arkivat nuk ofronin shërbime. Shkaktar tjerë janë edhe të natyrës subjektive, përkatësisht të mos dorëzimit të punës së kontraktuar me kohë nga ana e disa prej studiuesve; kthimi me vonesë i versioneve të redaktuara, etj.”- ka thënë Berisha.

Berisha thotë se gjithë historianëve shqiptarë u është ofruar mundësia që të përfshinë në projekt. Por, sipas tij, shumë prej tyre, për arsye të ndryshme nuk pranuan të jenë pjesë e projektit “Historia e Kosovës”.

“Janë disa emra, të njohur për publikun që janë të dëshmuar si historian, por që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në projekt, kryesisht për shkak se për ta ka qenë e pamjaftueshme shuma e pagesës (25 euro për faqe) ose në disa raste për arsye subjektive. Ka edhe raste kur kanë pranuar dhe me kalimin e kohës kanë hequr dorë nga angazhimi, gjithë këto raste janë edhe një ndër faktorët e shkaktimit të vonesave”- ka shtuar ai.

Aktualisht ai tha se janë në proces të redaktimit, vëllimi I-III i projekti “Historia e Kosovës”.

Koordinatori Berisha thotë se për realizmin e këtij projekti janë ndarë diku 200 mijë euro.

“Ajo që di është se me ato mjete janë paguar autorët, pjesërisht redaktorët, janë bërë kërkime nëpër arkiva nëpër botë, janë sjellë me mijëra dokumente dhe janë botuar disa vëllime me dokumente të zgjedhura. Të gjitha këto aktivitete janë kryer në kuadër të projektit dhe me buxhet të projektit”- është shprehur ai.

IH “Ali Hadri” synon realizimin e projektit shkencor, “Historia e Kosovës” në katër vëllime që përfshinë historinë e Kosovës nga parahistoria deri në vitin 2008.