Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Teatrot kërkojnë që të hapen, kërcënojnë me protesta

Me kërkesën, ‘Teatrot të hapën sa më shpejtë”, institucionet teatrore në vend kanë nisur një peticion drejtuar Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe Ministres së Kulturës  Vlora Dumoshi, për hapjen e teatrove.

Përmes këtij peticioni teatrot kosovare i bëjnë thirrje MSH-së dhe MKRS-së që sa më parë të ndërmarrin hapa në mënyrë që teatrove t’u lejohet të nisin punën dhe të fillojnë të mirëpresin publikun.

Në të kundërtën nënshkruesit e këtij peticioni, do të kërkojnë format tjera të protestave.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës përmes së cilit ndalohen të gjitha veprimtaritë kulturore në ambiente të mbyllura dhe të hapura ende është në fuqi. Ky vendim pamundëson punën e teatrove.

“Ndalohen veprimtaritë rekreative, kulturore dhe sportive në mjedise të mbyllura dhe të hapura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë shkollat e futbollit dhe sportet e tjera, trajnimet e të gjitha lëmive, etj”, thuhet në pikët tetë të vendimit të qeverisë së 28.07.2020.

Sipas peticionit, hapja e teatrove me masa të caktuara të sigurisë, do ta shpëtonte skenën teatrore nga kolapsi total në të cilin gjendet aktualisht dhe do të kontribuonte në masë të madhe në jetën sociale në Kosovë, të rënduar nga pandemia.

Aty theksohet se teatrot në Kosovë kanë kapacitete dhe do të përfillin të gjitha masat e sigurisë, duke kujtuar se masa të këtilla kanë filluar të zbatohen në shumicën e vendeve të Evropës.

“Ju bëjmë me dije se nëse ky peticion i yni injorohet, komuniteti teatrot në Kosovë, që ka një numër prej mbi 5,000 artistësh, punëtorëve të skenës e stafit administrativ, do të detyrohet të shoh edhe forma të tjera të protestave”, thuhet ndër të tjerash në peticionin e teatrove.

Ndërkaq MKRS, përmes një përgjigje për KALLXO.com potencon se shqetësimet e institucioneve të kulturës dhe skenës së pavarur i përcjell në Qeveri dhe institucione kompetente që merren me menaxhimin e pandemisë.

“Është në përgjegjësinë e tyre (Qeverisë- Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti të shëndetit publik) pastaj ta vlerësojë situatën dhe kërkesa që vijën nga ministria për t’i lejuar aktivitetet apo jo”,  thuhet në përgjigjen e MKRS-së.