Teatri Kombëtar nis shfaqjet online

Teatri Kombëtar i Kosovës nga e premtja do të fillojë transmetimin livestream të shfaqjeve teatrale nëpërmjet faqes zyrtare në Facebook.

Me anë të një njoftimi TKK ka njoftuar se në këtë situatë pandemie, do të sjellin teatrin në shtëpinë e të gjithë artdashësve.

“Të ndjerë gati të paforcë, por jo të dorëzuar, edhe ne edhe ju, jemi ngujuar nëpër shtëpitë tona duke respektuar shëndetin e njëri tjetrit por edhe shtetin në përgjithësi. “Mos pyet çfarë ka bërë shteti për ju, por çfarë keni bërë ju për shtetin?!”. Institucionet shtetërore nuk kanë kërkuar kurrë më pak prej nesh, vetëm të qëndrojmë në shtëpitë tona. Mirëpo le ta dijë COVID-19; le ta dijë edhe shteti por edhe secila forcë tjetër, se nuk mund ta ndalin teatrin. Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. Në pamundësi për të qenë bashkë me ju çdo mbrëmje në sallën e teatrit, ne do të sjellim teatrin nëpër shtëpitë tuaja” thuhet në njoftim.

Këtë të premte nga ora 20:00 do të transmetohet komedia “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta dhe me regji të Altin Bashës. Ndërsa të shtunën do të shfaqet “Tregtari i Venedikut” nga William Shakespeare, me regji të Mathew Lenton.

Sipas njoftimit ky version i transmetimit do të vazhdoj edhe në javët e ardhshme.

Që nga 12 marsi me vendim të Qeverisë  për masat parandaluese nga përhapja e  coronavirusit, të gjitha institucionet kulturore kanë anuluar shfaqjet teatrore, të baletit, koncertet, ekspozitat dhe aktivitetet tjera të cilat shfaqen me publikë.

Si pasojë e kësaj situate teatri është mbyllur për një kohë të pacaktuar, premierat janë shtyrë, provat janë anuluar dhe repertori artistik është pezulluar.