Teatri i Mitrovicës nis vitin 2020 pa drejtor dhe pa aktorë rezidentë

Me ushtrues të detyrës së drejtorit dhe pa asnjë aktor rezident e ka nisur viti 2020 Teatri i Qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena”.  Megjithatë kjo situatë pritet të ndryshojë me miratimin e Buxhetit të Kosovës.

Tafil Peci, drejtori i Drejtorisë për Kulturës në Komunën e Prishtinës ka pohuar për Kallxo.com se aktualisht teatri “Muharrem Qena” drejtohet me ushtrues të detyrës së drejtorit.

Drejtori Peci nuk ka treguar kohën se kur mund të zgjedhet drejtori i ri i Teatrit “Muharrm Qena”, por ka thënë se, së shpejti do të  fillojnë procedurat për plotësimin e kësaj pozite.

Ai ka thënë se teatri i Qytetit të Mitrovicës nuk ka aktorë rezidentë, por pritet që pas miratimit të buxhetit të fillojmë me procedurat për rekrutim të aktorëve.

“Po sa të miratohet buxheti do t`i fillojmë procedurat për rekrutim të aktorëve dhe stafit përcjellës sipas planifikimit të vitit 2020”, ka thënë Peci, drejtor për Kulturë në Komunën e Mitrovicës.

Teatri ‘Muharrem Qena” nuk ka as udhëheqës artistik si parashihet me Ligjin për teatrot i vitit 2011.

Po sipas ligjit për teatort, nenit 7, teatrot publike (të qyteteve) duhet të kenë një trup rezidente me më së paku 10 aktorë rezidentë.

“Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe me së shumti njëzet (20) aktorëve”, thuhet në nenin 7, pika 5 e Ligjit për teatrot.

Teatri “Muharrem Qena” i Qytetit të Mitrovicës është themeluar më 2011 dhe që nga ajo kohë funksionon në hapësirat e Qendrës së Kulturës, “Rexhep Mitrovica”.