Teatri i Ferizajt pezullon repertorin e marsit

Teatri i Qytetit të Ferizajt, “Adriana Abdullahu” ka pezulluar repertorin për muajin mars. Ky vendim i marrë nga manaxhmenti i këtij teatri vjen menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa shtrënguese për shkak të rrezikut të coronavirusit.

“Konform masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Coronavirus-it (Covid-19), për të cilat u mor vendim në mbledhjen e Qeverisë, me qëllim shmangien e aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë të publikut, njoftojmë se anulohen të gjitha shfaqjet e parapara të mbahen në kuadër të programit të shfaqjeve për muajin Mars”, thuhet në njoftimin teatrit “Adriana Abdullahu”.

Qeveria e Kosovës vendosi marrjen e një sërë masash shtrënguese për shkaka të rrezikut nga coronavirusi, pas shpalljes së këtij virusi si endemi nga OBSH-ja, duke vendosur që  të gjitha aktivitete publike dhe jo publike duhet të zhvillohen pa publik

“Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër”, thuhet në pikën 5 të vendimi të Qeverisë për  masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me COVID-19.

Ky vendim automatikisht pamundëson mbajtjen e shfaqjeve teatrale, koncerteve, shfaqjes së filmave, manifestimeve letrare, etj.